Gjilani triumfon në derbin ndaj Prishtinës, pa fitues në Drenas - NACIONALE

Gjilani triumfon në derbin ndaj Prishtinës, pa fitues në Drenas

1 vit më parë

nga NACIONALE

Gjilani ka marrë pikët e plota në shtëpi ndaj Prishtinës, derisa Malisheva u nda me një barazim te Feronikeli ’74.

“Skifterët” triumfuan me rezultat të ngushtë 2:1 duek bërë një rikthim fantastik pranë tifozëve.

Prishtina e nisi shumë më mirë për të kaluar në epërsi me anë të Albin Krasniqit, që u asistua nga Ardian Muja (22’).

Megjithatë, Gjilani u këndell shpejtë duke barazuar me Kushtrim Shabanin, që mori një asistim të bukur nga Senad Jarovic (36’).

Dy skuadrat pastaj kishin disa raste shënimi por që portierët ishin në nivelin më të lartë duke mos lejuar t’i finalizojnë.

Kur askush s’e priste, në skenë doli Besir Ramadani duke përfituar nga asistimi i Armend Thaqit për ta mposhtur ish klubin (82’).

Prishtina tani zë pozitën e gjashtë me 10 pikë, dy mbi Gjilanin.

Në anën tjetër, Malisheva humbi dy pikë në minutën e 90+11' në udhëtim te Feronikeli '74, sfidë që përfundoi me rezultat 1:1.

Sfida ishte shumë e hapur me Malishevën që ishte më e mirë gjatë tërë kohës por iu mungoi finalizimi.

Fajon Bunjaku shënoi pas 15 minutave, mirëpo shtatë minuta pas rishikimit të VAR-it goli u anulua për pozitë jashtë loje.

Bunjaku realizoi sërish në kohën shtesë, megjithatë prapë ishte në pozitë jashtë loje (45+3’).

Malisheva kaloi në epërsi falë Agon Xhakës duke shënuar me kokë pas harkimit të Arbër Prekazit (64’).

Sidoqoftë, Nikli u "ngjallë" vonë duke shënuar golin e barazimit me anë të Armend Gashit me kokë (90+11').

Malisheva tani rimerr kreun e Superligës me 14 pikë, kurse Nikli 74 qëndron në fund me një pikë.

Lajme të ngjashme