Gjilani për arrestimin e Solomonit: Te ne ka qenë shembull, do të bashkëpunojmë me autoritetet
Klubi i Superligës Gjilani ka thënë se është i hapur të bashkëpunojnë me autoritetet vendore për çështjen e futbollistit të vet, Theophilus Solomon, i cili u arrestua të premten pas një fletarrestimi ndërkombëtar.
Solomon, 27 vjeç, u arrestua më 24 shkurt mbi dyshimet se e kishte rrahur një grua gjatë kohës sa luante në Shqipëri për Partizanin e Tiranës, kishte marrë vesh Gazeta Nacionale të premten.
“Sport Club Gjilani përmes kësaj komunikate dëshiron të njoftojë opinionin në lidhje me situatën e krijuar me futbollistin e ekipit tonë, Theophilus Solomon. Ne si klub do të bashkëpunojmë maksimalisht me autoritetet relevante deri në sqarimin dhe pastrimin e plotë të këtij rasti”, thuhet në komunikatën e klubit kuqebardh.
Sulmuesi nigerian kishte fletarrestim ndërkombëtar për veprën penale dhunë fizike dhe u arrestua në Kosovë për këtë arsyeje. Ai dyshohet se e kishte goditur me shuplaka një grua gjatë vitit 2020 në Tiranë.
Solomon ishte pjesë e ekipit shqiptar nga vera e vitit 2019 deri në janar të vitit 2021.
Gjilani e vlerëson Solomonin si shembull për të tjerët gjatë qëndrimit të tij në klub.
“Sport Club Gjilani gjithmonë ka treguar kujdes gjatë angazhimit të lojtarëve të ri, kur paralel me cilësitë futbollistike vëmendje i kemi kushtuar edhe anës njerëzore. Njëjtë edhe me futbollistin Theophilus Solomon, i cili ka treguar sjellje tejet korrekte dhe ka qenë shembull për të tjerët në shumë raste”.
Ai iu bashkua Gjilanit nga kampioni i Kosovës Ballkani verën e kaluar, dhe ka kontribuuar me 6 gola në 18 paraqitje për klubin kuqebardh, me të cilin ka kontratë deri në vitin 2024.
Solomon e fitoi titullin e kampionit të Kosovës sezonin e kaluar me Ballkanin, i cili ishte i pari në histori për klubin nga Suhareka.
Kontributi i tij për Ballkanin në sezonin historik ishte pesë gola dhe dy asiste në 19 ndeshje në Superligë.
Në Partizan të Tiranës, ku edhe dyshohet ta ketë kryer veprën penale sulm fizik ndaj një gruaje, ai qëndroi për dy vite.
Ai i ishte bashkuar klubit nga kryeqyteti shqiptar në verën e vitit 2019 nga Ujpest FC dhe qëndroi deri në verën e vitit 2021.
Gjatë kohës së kaluar në Tiranë, ai e fitoi Superkupën e Shqipërisë me Partizanin, një nga tre trofetë e fituar në karrierën e tij deri tani.
Partizani është klubi për të cilin ka bërë më së shumti paraqitje nigeriani tërë karrierën, 48 ndeshje në total. Në ato ndeshje ai i shënoi vetëm 12 gola dhe i dhuroi 12 asiste.