Gjilani me një prezantim unik zyrtarizon Arbnor Ramadanin - NACIONALE

Gjilani me një prezantim unik zyrtarizon Arbnor Ramadanin

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Sport Club Gjilani më në fund ka kompletuar transferimin e qendër mesfushorit, Arbnor Ramadani.

Pas shumë viteve te Llapi, mesfushori i gjatë 1.80 metra është rikthyer në vendlindje duke iu bashkuar "Skifterëve".

Gjilani përmes një video unike zyrtarizoi rikthimin e Ramadanit, i cili ka nënshkruar kontratë për tre vitet në vijim.

"Shikoni kush është kthyer. Arbnor Ramadani, futbollisti i ri i SC Gjilanit", shkruhet në komunikatën e klubit.

Ramadani ndër lojtarët më të mirë në vitet e fundit në Superligën e Kosovës

Padyshim, Ramadani ka qenë ndër lojtarët më të vlerësuar në këto vitet e fundit te Llapi.

Nën urdhrat e Tahir Batatinës, Ramadani ishte i paprekshëm në formacionin bazë duke zhvilluar 116 paraqitje në të gjitha garat në tre sezonet e fundit.

Përpos pozitës së qendrës, 28-vjecari gjithashtu ka luajtur edhe si mesfushor sulmues (51), defensivë (37), i djathtë (4) ose edhe si anësor (1 paraqitje).

Brenda 8 mijë e 917 minuta të djersitur në fanellën e Llapit, ai kontribuoi me 16 gola si dhe dhuroi 16 asistime.

Përforcimi i duhur për Gjilanin që duan ta fitojnë titullin?

Nëse është përforcimi i duhur për skuadrën e drejtuar nga Zekirija Ramadani mbetet të shihet, pasi që klubi nga Gjilani synon ta fitojë titullin kampion.

Gjilani ishte në garë për titull këto vitet e fundit, por asnjëherë nuk ia arriti me suksesin më të madh që doli të jetë ‘bileta’ për në Evropë, ku as aty nuk është që bëri ndonjë gjë pasi u mposht qysh në xhiron e parë të Ligës së Konferencës nga Liepaja.

Gjithashtu te Gjilani kohëve të fundit ka pasur disa ndryshime të papritura, me presidentin Florim Zuka dhe gjithë kryesinë që dhanë dorëheqje, e momentalisht nuk ka detaje të tjera në këtë aspekt.

Në përballjen e parë për edicionin 2022/23, do ta zhvillojë kundër skuadrës së sapo promovuar, Ferizajit.

Lajme të ngjashme