Gjilani-Llapi: Shumë pak futboll por shumë zhurmë e kërcënime
Epiteti që iu dha ndeshjes mes Gjilanit dhe Llapit si derbi i javës së 25-të para takimit në Gjilan u prish nga mbase dy trajnerët më kontroversë në futbollin vendor, Ismet Munishi dhe Tahir Batatina.
Derisa Batatina i Llapit u ankua ndaj gjyqtarit kryesor të ndeshjes Gramos Shala duke mos kursyer asgjë nga fjalori i tij, Munishi i Gjilanit zgjodhi llogarinë e vet në rrjetin social Facebook për t’u ankuar tërë mbrëmjen pas ndeshjes.
Gjilani dhe Llapi nuk treguan futboll të bukur apo drithërues në barazimin 1:1 të dielën në Gjilan, ashtu siç edhe pritej, dhe vëmendja e këtij “derbi” u vodh nga trajnerët e tyre. Sikur mos t’iu mjaftonin kritikat ndaj gjyqtarit, njëri prej tyre shkoi aq larg saqë e kërcënoi atë drejtpërdrejt në televizion.
T’i dëgjosh trajnerët si Batatina dhe Munishi të flasin për referimin pas ndeshjeve është zakon i tyre i përhershëm tani. Rrallë mund t’i dëgjosh duke e shpjeguar lojën e zhvilluar nga ekipet e tyre, megjithatë.
Dhe nuk është që referimi në Superligë është për çdo lëvdatë, por nuk duhet të jetë gjithmonë arsye për e dështimit të njërës apo tjetrës skuadrës.
“Unë jam i zhgënjyer me rezultatin, ky arbitër s’e meriton me qenë në Superligë, atij duhet t’i vijë marre që po ia humb djersen e këtyre djemve. U vërejt që nga sekonda e parë që është ardhur me na mposht, vetëm karakteri ynë ka mundur të qëndrojë nga ai presion. Nuk ka koment”, tha ai pas ndeshjes.
44-vjeçari madje e kërcënoi Shalën haptazi, duke thënë se ai nuk do të lejohet t’i drejtojë ndeshjet e Llapit në Podujevë në vazhdim të këtij sezoni.
“Këto pikë na mori Gramos Shala, jo Gjilani, i kemi dominuar në çdo aspekt. Çdo kontakt ishte faull, njerëzit po investojnë milionat, duhet t’i vij marre. Sot është tendencioze. Pikët ua dha Gramos Shala se deri në mëngjes me lujtë nuk mund të mposhtnin Llapin. Sa te jam unë në Llap, Gramos Shala nuk do të referojë, ai do të na shikojë vetëm nga TV”, tha Batatina.
Shala e pati ndeshjen nën kontroll dhe përveç një penalltie e diskutueshme për Gjilanin, për të cilën VAR-i vendosi që nuk ishte, referimi nuk është dashur kurrë të ishte temë diskutimi e këtij takimi.
Ai e kishte përjashtuar nga loja me karton të kuq golashënuesin e Llapin Francisco Riveras në minutën e 79-të, pasi meksikani e goditi në mënyrë jospotive Albert Dabiqajn. Duke e parë goditjen e qëllimshme pa top dhe nga mbrapa ta Riveras, është e vështirë të argumentosh ndaj Shalës.
Munishi, ndërkohë - i cili e përcolli ndeshjen nga tribunat në Gjilan - e kishte zgjedhur një fjalor më të butë në ankesat e tij për referimin në atë ndeshje.
“Vazhdojmë të mbetemi skuadra më e dëmtuar në Superligë dhe njëherit duke synuar trofetë dhe rekordet. SC Gjilani kjo familje e madhe”, shkroi ai në Facebook.
Ky ishte ndeshja e tretë radhazi pa fitore për Llapin, i cili u duk në rrugë për t’u futur në garë për titull para disfatës ndaj Ballkanit, dhe e lë atë 10 pikë mbrapa liderit Ballkani.
As Gjilani s’i ka fituar dy ndeshjet e fundit në ligë, duke e lëshuar mundësinë për ta kapërcyer Ballkanin në krye të tabelës dhe si pasojë tani ngel tri pikë mbrapa tij.