Gjilani e 'shkatërron' Lirinë, Malisheva e mposht Llapin në Podujevë - NACIONALE

Gjilani e 'shkatërron' Lirinë, Malisheva e mposht Llapin në Podujevë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Janë zhvilluar dy ndeshjet e para të xhiros së 16-të, ku në njërën anë Gjilani fitoi me rezultat të thellë 4:0 ndaj Lirisë, ndërsa në anën tjetër Llapi humbi në shtëpi 1:0 ndaj Malishevës.

Gjilani me fitore vazhdon të largohet nga zona e rrëzikshme pas një fillimi jo të mirë, ndërsa Llapi me humbjen e sotme i jep mundësi Ballkanit ta rrisë edhe më shumë distancën me pikë mes vendit të parë dhe të dytë.

Liria - Gjilani

Një nga skuadrat me shumë pak shpresë për të bërë mirë diçka në Superligën e Kosovës është Liria dhe kjo po dëshmohet javë pas jave e u tregua edhe sot me humbjen e thellë në shtëpi.

Edi Basa ishte ai që hapi serinë e golave, që në minutën e 23-të shënoi nga penalltia për 1:0.

Tre minuta më pas, Elvedin Heric nga gjuajtja e lirë shënoi për ta dyfishuar epërsinë.

Heric shënoi edhe një herë deri në përfundim të pjesës së parë, për 3:0.

Në 45 minutat e dyta u shënua edhe një gol nga Gjilani. Ishte Elton Cale që në minutën e 85-të shënoi për 4:0, pak minuta pasi u inkuadrua në lojë.

Liria pati vetëm një rast të mirë në këtë takim dhe ai u prit shumë mirë nga portieri Betim Halimi.

Gjilani me fitore shkon në kuotën e 17 pikëve dhe gjendet në vendin e shtatë, ndërsa Liria në vendin e fundit me nëntë pikë në 16 ndeshje.

Llapi - Malisheva

Një gol i hershëm nga Malisheva mjaftoi që ata të rrëmbenin pikët e plota në Podujevë, ani pse llapjanët luajtën më mirë.

Vetëm minuta e parë e takimit dhe Llapi u tregua shumë e rrezikshme, por që aksionet përfunduan pa realizim.

Në minutën e gjashtë Malisheva shënoi. Ishte Agon Xhaka që me kokë çoi topin në rrjetë, pas një harkimi nga Ilir Mustafa.

Të dy skuadrat në vazhdim patën mundësi të mira shënimi. Te Llapi ishte hero Ilir Avdyli që nuk lejoi që topi të hynte më në gol, ndërsa në sulm mundësitë e arta nuk arritën t'i konkretizonin, duke çaluar në finalizim.

Llapi kështu rrezikon tani vendin e dytë në tabelë nga Drita, e cila ka dy ndeshje më pak. Malisheva gjendet në vendin e katërt jo shumë prapa me pikë nga vendi i dytë, pra pesë pikë.

Lajme të ngjashme