Gjilani e mposht Fushë Kosovën, Feronikeli 74 e Prishtina ndahen me barazim
Sot, në Superligën e Kosovës në futboll, janë zhvilluar dy takime të javës së dhjetë, apo të parat e ciklit të dytë të sezonit 2023/2024. Gjilani si vendas fitoi me rezultat minimal 1:0 ndaj Fushë Kosovës, ndërsa Feronikeli 74 ka barazuar 0:0 me Prishtinën.
Gjilani – Fushë Kosova
Ndeshja e zhvilluar në Stadiumin me bari sintetik në Gjilan, dhuroi shumë pak për ata që ndoqën lojën.
Gjilani për një nuancë ishte më e mirë në pothuajse tërë takimin, ndërsa Fushë Kosova çaloi në krijimin e rasteve të rrezikshme, me çka dështuan ta testojnë seriozisht portierin Betim Halimi.
Pjesa e parë përfundoi pa gola, ndërsa me të nisur pjesa e dytë ‘Skifterët’ patën disa raste të mira, ku u ndalën nga Armend Ruxhi.
Goli i vetëm i takimit u shënua në minutën e 67-të, me Kushtrim Shabanin që çoi Gjilanin në epërsi 1:0, rezultat me të cilin përfundoi takimi.
Me këtë fitore, Gjilani tani nga pozita e tetë renditet në vendin e gjashtë, me 11 pikë të grumbulluara, pas 10 ndeshjeve të zhvilluara, ndërsa Fushë Kosova vazhdon të mbetet e fundit me vetëm pesë pikë në po aq ndeshje.
Feronikeli 74 – Prishtina
Prishtina e nisi më mirë takimin në stadiumin Rexhep Rexhepi në Drenas, por disa raste të njëpasnjëshme, nuk u finalizuan.
Në vazhdim, vendasit gjeten një herë golin në minutën e 37-të, por që u anulua për pozitë jashtë loje dhe me rezultatin 0:0 skuadrat shkuan në pushim.
Pjesa e dytë ishte disi me e plogësht, me disa goditje të lehta në drejtim të dy portierëve, të cilët ishin të sigurt në intervenimet e tyre.
Një incident i vogël ndodhi në minutat e fundit të takimit, kur dikush nga stafi i skuadrës vendase u bë cak i disa tifozëve të Prishtinës, që njihen si Plisat, por çdo gjë u rregullua, për të vazhduar ndeshja me minutat e mbetura.
Deri në fund nuk pati ndryshim në rezultat dhe të dy skuadrat u ndanë me barazim pa gola.
Prishtina me barazim shkon në kuotën e 13 pikëve në vendin e katërt, ndërsa Feronikeli 74 ka 11 pikë në vendin e shtatë.