Gjigantët turq Galatasaray dhe Fenerbahce në luftë për Milot Rashicën
Dy gjigantët më të mëdhenj turq Galatasaray dhe Fenerbahce janë duke luftuar kokë më kokë për yllin e Kosovës Milot Rashica, sipas mediave turke.
Rashica, 26 vjeç, i ndihmoi Galatasarayt ta fitojë titullin në Superligën e Turqisë sezonin e fundit si lojtar i huazuar nga Norwich City.
Përfaqësuesi i Kosovës do të rikthehet në klubin nga kategoria e dytë e futbollit anglez Championship këtë muaj, pasi i mbaroi huazimi njëvjeçar në Turqi.
Ai shkëlqeu në Galatasaray duke i shënuar 4 gola dhe 7 asistime në 26 ndeshje në Superligën turke.
Galatasaray dëshiron ta mbajë atë, por kosovari ka kontratë me Norwich Cityn deri në vitin 2025.
Norwich – i cili pagoi 11 milionë euro për ta blerë Rashicën nga Werder Bremen më 2021 – i kërkon të paktën 7 milionë euro për ta shitur atë.
Derisa Galatasaray mund ta ketë aprovimin e lojtarit, media turke raportojnë se Fenerbahce ka bërë një hap më shumë në bisedime me klubin anglez për t’i siguruar shërbimet e Rashicës.
Fenerbahce – që e humbi titullin në garë me Galatasarayn – thuhet se është në bisedime të intensifikuara me Norwichin dhe Rashicën po ashtu.
Sipas mediave turke, derisa Rashica do ta parapëlqente kalimin te kampioni turk, ai ia ka lënë në dorë klubit të tij të vendosë po ashtu dhe mund të përfundojë në Fener.
Më shumë gjasë Rashica do t’i bashkohet Fenerbahces, sipas raportimit të mediave lokale.
