Milot Rashica kampion i Turqisë me Galatasarayn
Galatasaray i Milot Rashicës është shpallur kampione e Superligës së Turqisë një javë pa përfunduar sezoni, pasi fitoi si mysafirë i Ankaragucu me rezultat të thellë 4:1, me anësorin e Kombëtares së Kosovës që kontribuoi me asist në golin e parë.
Duke parë që në anën tjetër Fenerbahce po fitonte me rezultat 2:0, Galatën vetëm fitorja do ta shpallte kampion dhe këtë e arritën në mënyrën më të mirë.
Llogarinë e hapi Mauro Icardi që shënoi gol në minutën e shtatë për 1:0, me asistimin e bukur të Rashicës.
Por vendasit u kthyen në lojë, me Milson që barazoi duke shënuar për 1:1 në minutën e 16-të.
Shtatë minuta pa përfunduar pjesa e parë, në skenë doli sërish sulmuesi argjentinas, Icardi, për të shënuar golin e dytë personal në këtë takim dhe të rezultatit 2:1, me të cilin përfundoi pjesa e parë.
Në pjesën e dytë u shënuan edhe dy gola të tjerë nga Galatasaray, për të vulosur fitoren për titullin kampion.
Ishte Yilmaz që shënoi fillimisht në minutën e 73-të për 3:1, me Akturkoglu që asistoi.
I njëjti futbollist asistoi përsëri, teksa për epilogun final 4:1 shënoi Oliveira.
Kjo fitore e shpall kampion Galatasarayn për herë të 23-të në histori të saj dhe për herë të parë që nga sezoni 2018/19.
🟡 23x TURKISH CHAMPIONS 🔴
— 🏆 CHAMPIONS 🏆 (@Galatasaray) May 30, 2023
🏆🏆🏆🏆🏆🏆🏆🏆🏆🏆🏆🏆🏆🏆🏆🏆🏆🏆🏆🏆🏆🏆🏆 pic.twitter.com/lHZttC7VnS
Padyshim më meritori për këtë sukses ishte Mauro Icardi që shënoi 21 gola e kontribuoi me shtatë asiste, duke përfshirë edhe dy golat e sotshëm, ndërsa rol të madh pati edhe Rashica me katër gola e shtatë asistime.
Në vendin e dytë gjendet Fenerbahce me pesë pikë më pak se lideri, gjithsej 77, por që do ta presë edhe xhiron e fundit, ku i duhet së paku një pikë për ta mbajtur këtë pozitë, me Besiktas që gjendet vetëm tre pikë prapa.
