Gjermania e Holanda pa mëshirë për kundërshtarët, fitojnë me rezultat të thellë - NACIONALE

Gjermania e Holanda pa mëshirë për kundërshtarët, fitojnë me rezultat të thellë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Gjermania ka shënuar fitore të thellë 7:0 ndaj Bosnës dhe Hercegovinës, ndërsa pa mëshirë u tregua edhe Holanda ndaj Hungarisë, duke triumfuar 4:0.

Të dy këto përballje u zhvilluan në kuadër të xhiros së pestë të grupit A3.

Gjermania e filloi herët shënimin e golave, kur Jamal Musiala shënoi për 1:0 në minutën e dytë.

Kleindienst e dyfishoi rezultatin në minutën e 23-të, ndërsa në minutën e 37-të Kai Haverz realizoi për 3:0, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.

Ylli i Bayer Leverkusen, Florian Wirtz realizoi dy gola të shpejtë me të filluar pjesa e dytë. Fillimisht në minutën e 50-të për 4:0, e shtatë minuta më vonë për 5:0.

Leroy Sane nuk mbeti pa u shënuar në listën e realizatorëve, kur çoi topin në rrjetë për 6:0 në minutën e 66-të.

Kleindienst e shënoi edhe golin e dytë personal në këtë ndeshje, për rezultatin përfundimtar 7:0, 11 minuta pa përfunduar takimi.

Gjermania me këtë fitore shkon në kuotën e 13 pikëve në pesë ndeshje të zhvilluara, ndërsa Bosna e Hercegovina mbetet në vendin e fundit dhe në përfundim të sezonit do të largohet nga Liga A.

Në përballjen tjetër, Holanda nuk tregoi fare mëshirë për Hungarinë.

Ish-sulmuesi i Manchester Unitedit, Weghorst shënoi nga penalltia në minutën e 21-të për të hapur serinë e golave.

Edhe goli i dytë erdhi nga penalltia. Kësaj radhe për 2:0 shënoi ylli i Liverpoolit Gakpo në përfundim të pjesës së parë.

Denzel Dumfries e çoi epërsinë në 3:0, kur shënoi në minutën e 64-të, ndërsa për rezultatin përfundimtar 4:0 u kujdes Koopmeiners, me realizimin e tij katër minuta pa përfunduar koha e rregullt.

Me këtë fitore, Holanda e siguron vendin e dytë dhe play-offin ku do të zhvillohet faza për kampionin e Ligës së Kombeve, ndërsa Hungaria do të luajë në play-off për të qëndruar apo jo në Ligën A.

Lajme të ngjashme