Giresse: Opsioni i vetëm për ne është fitorja ndaj Andorrës - NACIONALE

Giresse: Opsioni i vetëm për ne është fitorja ndaj Andorrës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Alain Giresse, ka deklaruar se nuk mendojnë për ndonjë rezultat tjetër nesër ndaj Andorrës, përveç fitores dhe se për këtë edhe lojtarët janë të vetëdijshëm.

Giresse tha se paraqitja ndaj Izraelit ka vend për kritika, sepse gjatë pjesës së parë kishin vështirësi të mëdha në repartin mesfushës.

“Në ndeshjen ndaj Izraelit kemi pasur vështirësi në mesfushë, pasi kemi filluar ndeshjen vetëm me një mesfushorë qendror dhe dy kundërshtarët në atë repart kanë krijuar probleme për ne. Kemi vuajtur gjatë pjesës së parë, kështu që ka vend edhe për kritika.”

Për trajnerin francez e sigurt është se ata hyjnë për fitore nesër, si në çdo ndeshje tjetër dhe normalisht që nesër e mendojnë vetëm fitoren.

“A mendojmë për fitore nesër? Gjithsesi do të hyjmë në këtë ndeshje për fitore si në çdo ndeshje tjetër, sa i përket renditjes pas ndeshjes nuk e di si do të përfundojnë ndeshjet tjera, por çka është e sigurt është se hyjmë për fitore.”

I pyetur rreth futbollistëve se a janë të vetëdijshëm për seriozitetin e garës dhe të informuar për kundërshtarin, trajneri thotë se futbollistët e tij janë të informuar mirë, pasi që ky nuk është kompeticioni i parë ku ata luajnë dhe se janë të vetëdijshëm se paraqitjet e tyre mund ta çojnë Kosovën në Evropian.

“Opsioni i vetëm për ne nesër është fitorja. Sa i përket lojtarëve se a janë të vetëdijshëm për nevojën për ta fituar këtë ndeshje? Po ata fillimisht janë të informuar, pastaj janë të vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj ndeshje, sepse nuk është gara e parë në të cilën luajnë, ata kanë zhvilluar ndeshje në Ligën e Kombeve si dhe gara të tjera, dhe janë të vetëdijshëm që paraqitja e tyre ndikon në një paraqitje në Evropian.”

Sa i përket kthimit të Leart Paqaradës në Kombëtaren e Kosovës, Giresse u shpreh i lumtur, teksa tha se është i kënaqur me mënyrën se si ai i qaset ndeshjeve, me shpirtin luftarak që tregon në fushë.

“Fillimisht janë i lumtur me kthimin e Paqaradës në Kombëtare, siç ishte ai kur po shkëmbenim mesazhe për kthimin e tij. Sa i përket paraqitjes së tij, jam i kënaqur me shpirtin luftarak dhe interesimin që i qaset ndeshjeve.”

Për prurjet e reja, trajneri thotë se janë gjithmonë në kërkim dhe jo vetëm në mesfushë, por se sipas tij kjo nuk është e lehtë pasi përballen me probleme që lojtarët potencial kanë nënshtetësi të dyfishtë dhe ka prej tyre që hezitojnë të vijnë të luajnë për Kosovën.

“Po bëjmë punë të palodhshme, jo vetëm në mesfushë në të gjitha repartet të sjellim futbollistë të rinj. Kjo punë nuk është e lehtë, sepse ende e kemi problemin me lojtarët që kanë nënshtetësi të dyfishtë dhe ka që hezitojnë, por që a mundohemi ne të sjellim lojtarë të rinj? Padyshim që po.”

Lajme të ngjashme