Giresse: Nuk duhet të neglizhohet Andorra, ndeshjeve duhet t’i qasemi me seriozitet
Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Alain Giresse, në konferencën për shtyp para ndeshjes me Andorrën që zhvillohet nesër tha se kundërshtari nuk duhet të neglizhohet për shkak që nuk kanë skuadër të njohur, por çdo ndeshje duhet të hyjnë të motivuar dhe t’iu qasen lojës me seriozitet.
Kosova do ta zhvillojë ndeshjen e dytë kualifikuese për Euro 2024 nesër në Fadil Vokrri, kundër Andorrës, kështu për të vazhduar rrugëtimin drejt ëndrrës së quajtur Kampionati Evropian.
“Pika e parë, nuk duhet të neglizhuar Andorra dhe nuk duhet të konsiderohet për atë se çka përfaqëson Andorra në futboll. Ndoshta nuk është ekip i njohur por nuk duhet neglizhuar. Pak ka rëndësi kë kemi përball, marrë parasysh garën ku luajmë, prandaj a është Andorra a dikush tjetër, me rëndësi është t’i qasemi ndeshjeve me seriozitet dhe motivim”, tha trajneri i Kombëtares së Kosovës.
I pyetur për ndeshjen ndaj Bjellorusisë, ku ka raportime se tre pikët mund t’i marrë Kosova dhe ndeshja mos të zhvillohet, Giresse tha se nuk ju interesojnë çështjet politike, por cilido skenar të ndodhë është njëjtë për të gjitha skuadrat, nuk ka ndonjë dallim vetëm për Kosovën.
“Pjesa politike nuk na intereson ne. Ne përgatisim lojën kundër çdo kundërshtari, pastaj a zhvillohet ndeshja apo jo nuk na intereson shumë, kurse sa i përket tre pikëve, nëse na jepen neve, do t’i jepen edhe kundërshtarëve, kështu që kjo është situata. Edhe nëse na japin apo nuk na japin tre pikët, skenari do të jetë i njëjtë.”
