Gerrard ka ditët e numëruara tek Aston Villla – klubi i gatshëm të nënshkruajë me Pochettinon
Sado që e nisi mirë gjatë sezonit të shkuar zellin e trajnerit në Premierligë, tani Steven Gerrard po kalon në periudhën më kritike të mundshme, duke qenë një hap pranë shkarkimit.
Vetëm 9 pikë në kampionat dhe plot katër javë pa arkëtuar një fitore të vetme. Skuadra nga Birmingham është në krizë të madhe gjatë këtij fillimi të sezonit.
I pari që pritet të japë përgjegjësi për këtë rendiment mjaft të plogësht është vetë trajneri i ekipit, Steven Gerrard. Aston Villa po karakterizohet jo vetëm për mungesë të rezultateve, por edhe për një lojë shumë të zbehtë që po prodhojnë të besuarit e tij.
E përditshmja britanike “Daily Telegraph” raporton se disa ndryshime qysh tani po planifikohen të bëhen nga drejtuesit e klubit anglez.
Siç mësojnë burimet e saj është trajneri i mirënjohur argjentinas, ish-trajneri i Tottenhamit dhe PSG, Mauricio Pochettino, ai që është objektivi kryesor i klubit për ta zëvendësuar Gerrardin.
Megjithatë, gjithnjë duke u bazuar në raportimet e “Daily Telegraph”, Gerrard do ta ketë edhe një mundësi të fundit. Aston Villa do të luajë në mesjavë kundër Fulhamit dhe në rast të ndonjë humbje tjetër – pashmangshëm se do të shkarkohet nga pozita e trajnerit Gerrard.

Drejtuesit e klubit nga Birmingham kanë bërë disa blerje gjatë afatit kalimtar veror. Bëhet fjalë për 70 milionë euro të investuara duke afruar lojtarë të ndryshëm cilësorë, siç ishin Diego Carlos (31 milionë euro), Dendoncker (15 milionë euro), etj.
Mesatare e dobët pikësh si trajner në Premierligë
Ndeshjet e radhës në Premierligë që Aston Villa do t’i luajë janë ndaj Fulhamit në udhëtim. Brentfordit në shtëpi, Newcastlet në udhëtim dhe Manchester United në shtëpi.
Deri më tani Gerrard ka drejtuar si trajner klubin anglez në 39 ndeshje. Ai ka një mesatare prej 1,21 pikëve në ndeshje.
Te Rangers ka pasur një rendiment shumë më të mirë, anipse paradigma nuk është krejtësisht e duhur, meqë në kampionatin skocez ekipi në fjalë kishte edhe një supremaci dukshëm më enorme, veçanërisht sa i përket fondit të lojtarëve.

Pra, te Rangers në 192 ndeshje sa ishte në krye të stolit, ai kishte një mesatare shumë të mirë të pikëve të fituara (2,15). Në edicionin 2020/'21 ai ia doli që ta fitojë edhe titullin kampion në Skoci.
Në petkun e trajnerit 42-vjeçari ka filluar të punojë prej vitit 2017, ku kishte marrë drejtimin e grupmoshës U18 të Liverpoolit.
Rezultatet e arritura në akademinë e klubit ku është rritur, kishin nxitur Rangersin që ta kontaktonte për t’ia afruar pozitën e trajanerit.
