Gabon Juventusi, ndalet me barazim nga Empoli
Juventusi ka bërë hap fals në garën për titull kampioni, pasi u ndal nga Empoli me barazim 1:1. Tani Zonja e Vjetër me dy ndeshje më shumë se Interi, ka vetëm dy pikë më shumë në krye te tabelës dhe në rast se zikaltrit fitojnë dy ndeshjet e mbetura, ata mund ta rimarrin vendin e parë me katër pikë më shumë.
Skuadra e Massimiliano Allegrit e nisi mirë takimin, duke krijuar raste për gol, por rrjedha e takimit ndryshoi kur në minutën e 18-të Arkadiusz Milik bëri një ndërhyrje të rrezikshme të panevojshme, për t'u ndëshkuar me karton të kuq, që la Juventusin për më shumë se 70 minuta me një lojtar më pak në fushë.
Pjesa e parë përfundoi pa gola dhe pavarësisht faktit se Juve pati një lojtar më pak, ata arritën të dalin të parët në epërsi, me serbin Dusan Vlahovic që shënoi për 1:0 në minutën e 50-të.
Empoli me epërsinë numerike në fushë filloi të sulmonte dhe në minutën e 70-të ia arritën qëllimit, kur zëvendësuesi Tommaso Baldanzi e barazoi rezultatin në 1:1.
Deri në përfundim të takimit nuk pati ndryshim në rezultat, ani pse mysafirët patën mundësi ta fitonin ndeshjen krejtësisht.
Juventus momentalisht gjendet në vendin e parë me 53 pikë, por Interi me dy ndeshje më pak ka dy pikë më pak dhe renditja mund të ndryshojë nesër, kur Interi takohet me Fiorentinën. Në anën tjetër Empoli gjendet në vendin e parafundit në tabelë.