“Futbolli i tij është art” - Roger Federer me letër emocionuese për Lionel Messin
Legjenda e tenisit, Roger Federer, e ka nderuar Lionel Messin duke e krahasuar me art futbollin e tij, pas argjentinasi u përzgjodh në mesin e 100 njerëzve më me ndikim në vitin 2023 nga revista TIME.
Messi u përzgjodh si njëri nga njerëzit më me ndikim në botë në vitin 2023 sepse e udhëhoqi si kapiten Argjentinën drejt fitimit të Kupës së Botës në fund të vitit 2022 dhe e kompletoi futbollin.
Ish-ylli i tenisit, Federer – i cili cilësohet si lojtari më i mirë i të gjitha kohëve në sportin e tenisit – e ka nderuar me një shkrim të gjatë Messin në listën e njoftimeve për çmimin, duke e krahasuar me art futbollin e tij.

“Rekordet e Lionel Messit për shënimin e golave dhe kampionatet e fituara nga ai nuk kanë nevojë të numërohen këtu. Ajo çfarë veçohet për mua tek Messi, 35 vjeç, është madhështia e tij e vazhdueshme për kaq shumë vite. Kjo është tepër e vështirë për t’u arritur e pastaj për t’u mbajtur. Ai driblon sikur një magjistar dhe pasimet e tij këndore janë vepër arti. Është pothuajse e pamundur ta kuptosh vëmendjen dhe parashikimin e tij”, shkroi Federer.
“Karriera ime sapo ka përfunduar. Tani e kuptoj sa shumë peshë bartim ne atletët. Por në jetën tonë të përditshme, ne as që arrijmë ta kuptojmë bile. Për një lojtar futbolli si Messi, ajo peshë më gjasë është më e madhe, sepse ai përfaqëson një klub të njohur botëror dhe një vend shumë të zjarrtë për futbollin”.
“Fitimi i Kupës së Botës nga Argjentina ishte i mahnitshëm. Dalja e miliona njerëzve në rrugët e Buenos Aires për të festuar ishte çast i mrekullueshëm për sportet, që u pa në gjithë botën. Madje edhe ata të cilët nuk shikojnë futboll duhet ta kenë kuptuar patjetër ndikimin e vërtetë të lojës më të njohur në botë”, shtoi ai.

Federer, i cili njoftoi pensionimin nga tenisi në shtator 2022, shkroi po ashtu për shpresën se 35-vjeçari Messi do të vazhdojë karrierën edhe për shumë kohë.
“Duke u rritur, lojtarët argjentinas që i parapëlqeja ishin Diego Maradona dhe Gabriel Batistua. Isha me fat që i takova të dy. Ata më frymëzuan. Tani Messi mund t’i frymëzojë gjeneratat e ardhshme. Mund vetëm të shpresoj se do të kemi mundësi ta shohim kreativitetin e tij unik dhe artistik edhe ca kohë më shumë. Mos i përpëlitni qerpikët shpesh kur Messi është duke luajtur në fushë. Mund t’ju ikë diçka e jashtëzakonshme nga njeriu i çastit”, nënvizoi Federer.
E ardhmja e Messit mbetet e paqartë, pasi ai është duke e pritur Barcelonën t’i bëjë ofertë formale për t’u kthyer në Camp Nou, dhe ka mundësinë ta vazhdojë kontratën me PSG-në.
Derisa për të ka oferta të majme nga Arabia Saudite dhe SHBA-ja, Messi synon të mbetet në Evropë edhe për një kohë për të luajtur në nivelin më të lartë.