Fushë Kosova e fiton me rezultat zyrtar ndeshjen kundër Vjosës
Fushë Kosova e ka fituar me rezultat zyrtar 3:0 ndeshjen e humbur kundër Vjosës, pas një ankese se kjo e fundit e kishte shkelur rregulloren e garave gjatë ndeshjes së fundjavës, ka vendosur Komisioni i Garave i FFK-së të martën.
Vjosa e mundi 1:0 Fushë Kosovën të dielën, por komisioni gjeti se ajo e futi në lojë një futbollist në kundërshtim me rregulloren e garave.
“Miratohet si e bazuar – Ankesa e Klubit të Futbollit “Fushë Kosova“ dhe ndeshja e javës së 23-të e Ligës së Parë të Kosovës – Grupi (B) ndërmjet KF “Vjosa” – dhe KF “Fushë Kosova” e përfunduar me rezultat 1:0 në fushë, për KF “Vjosa“ regjistrohet me rezultat zyrtar 3:0 në favor të KF ‘Fushë Kosova’”, njoftoi Komisioni i Garave.
Ideal Ademaj ishte futur në lojë në kohën shtesë në fitoren e Vjosës kundër Fushë Kosovës, pavarësisht se vetëm një ditë më parë kishte luajtur për ekipin e të rinjve të të njëjtit klub.
Rregullorja e garave e FFK-së e ndalon që një futbollist t’i zhvillojë dy ndeshje zyrtare brenda 24 orëve.
Fushë Kosova tani do t’i ketë 52 pikë në krye të tabelës së Grupit B në Ligën e Parë, ndërsa Vjosa 37 në vendin e gjashtë.