Fundjava në Superligën e Kosovës nis me dy ndeshje interesante - NACIONALE

Fundjava në Superligën e Kosovës nis me dy ndeshje interesante

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Java e 17-të në Superligën e Kosovës do të nisë me dy ndeshje interesante, ku Prishtina do të jetë nikoqire e Drenicës, ndërsa Dukagjini do ta presë në shtëpi Trepçën ’89. Ndeshje këto që zhvillohen në ora 13:00.

Prishtina që nuk di për fitore në tri ndeshjet e fundit do ta ketë një mundësi të mirë që ta përmbysë ecurinë negative të rezultateve, pasi sot e pret Drenicën në “Fadil Vokrri”.

As Drenica nuk është se ka shkëlqyer gjatë javëve të fundit. Ekipi i Bekim Shotanit ka hyrë në një krizë rezultatesh pas një rendimenti të mirë që kishte treguar. Me dy barazime dhe dy humbje, Drenica është katapultuar në vendin e parafundit tabelor.

Andaj, duke pasur parasysh që Prishtina luan para publikut të saj, në këtë pasdite llogaritet favorite për të korrur një fitore, që do të ishte e mirëseardhur për trajnerin Ismet Munishi, marrë parasysh formën që së voni për tregon ekipi i tij dhe rënies në pozitën e 4-të që kanë shënuar në tabelë.

Në ndeshjen e parë që ishte zhvilluar në “Bajram Aliu” gjatë këtij edicioni kishte qenë ekipi i Drenicës ai që kishte triumfuar, duke fituar me përmbysje 2:1, me dy gola të shpejtë që realizonin në fund të ndeshjes Gavazaj dhe Abazi.

Tradicionalisht Drenica është parë si ekip makth i Prishtinës, duke ia dalë që të nxjerrë rezultate të favorshme qoftë brenda, ashtu edhe jashtë terrenit të saj.

Në tre ndeshjet e fundit direkte Prishtina nuk ka arritur të dalë me tre pikë ndaj drenicasve. Fitorja e fundit kishte qenë më 6 shkurt 2022, kur në kryeqytet fitonte 2:1.

Dukagjini pret Trepçën ’89, sfidë për t’i ikur barazhit

Në “18 Qershori” do të luhet një ndeshje që do të mund të jetë deri në një masë domethënëse për synimin e përbashkët që kanë të dy ekipet: shmangien e zonës së barazhit.

Dukagjini vjen nga një seri e mirë rezultatesh, hiç humbjen në Gjilan që regjistroi para tri xhirosh. Një Dukagjin krejt ndryshe ky i javëve të fundit në raport me atë që ishim mësuar të shihnim në fillim të sezonit.

Skuadër stabile që ia ka dalë të marrë pikë në katër nga gjashtë ndeshjet e fundit. Së fundi, ka konsoliduar edhe mbrojtjen, duke shënuar një këndellje solide.

Ekipi i Dallkut do të ketë punë me një rival që di të luajë mirë në fazë sulmuese siç është Trepça ’89. Përkundër të gjitha të metave që “minatorët” kanë në mbrojtje, duke pranuar shumë gola, golin prapëseprapë ia dalin që ta gjejnë shumë lehtë.

Në ndeshjen e parë direkte të këtij sezoni mitrovicasit fitonin lehtë dhe bindshëm me rezultat 3:0, por sot pritet të jetë një pasqyrë tërësisht tjetër.

Kujtojmë se të dy ekipet për momentin kanë numrin e njëjtë të pikëve, nga 18 sosh – dhe renditën në pozitat 7 dhe 8 në tabelë, me dallimin që Trepça ’89 ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Lajme të ngjashme