Fundi i trishtë i divorcit mes Dreshevic dhe Heerenveen
Lojtari i Kombëtares së Kosovës, Ibrabim Dreshevic, më nuk do të jetë pjesë e Heerenveen. Ai në përfundim të këtij sezoni do të largohet si lojtar i lirë nga klubi holandez në të cilin u transferua në afatin kalimtar të janarit të 2019-ës. Palët assesi nuk kanë arritur ta gjejnë një gjuhë të përbashkët për ta rinovuar kontratën e cila skadon në qershor të këtij viti.
Sezoni i sivjem për Dreshevicin është shoqëruar me shumë zhurmë, mes polemikave, kritikave dhe presioneve të shumta, të cilat kryesisht vinin nga tifozët dhe shtypi lokal. Gjithë kjo katrahurë pasoi nga momenti kur lojtari dardan shfaqi një rendiment aspak stabil, me gabime të shpeshta, të cilat ndikuan për të keq në disa raste edhe tek ecuria e klubit verior holandez. Shembull konkret është ndeshja e 1/8-ës së finales në Kupën e Holandës, kur Heerenveen humbi ndaj Go Ahead Eagles me rezultat 0 me 1 dhe ishte pikërisht Ibrahim Dreshevic ai që brenda çerekut të parë të lojës harroi kundërshtarin mbrapa shpinës, gjë që shkaktoi edhe pësimin e golit dhe kësisoj klubit të tij iu shua ambicia kryesore që ia kishin vendosur vetes: plasmani sa më i mirë në kupën holandeze.
Prej atij momenti u shumëfishua kryqëzimi i vrazhdë në drejtim të tij. Me rendimentin në kampionat që nuk e ka prej më të mirëve ekipi verdhebardh, si dhe me eliminimin nga kupa, Dreshevici u gozhdua me demonizime dhe kritika që i vinin nga të gjitha anët, si dhe kërkesa për mos rinovim të kontratës nga ana e opinionistëve futbolldashës, të cilët madje nuk duan ta shohin as titullar. Gazeta Nacionale kishte raportuar për situatën e vështirë në të cilën po kalon Dreshevic edhe para disa javëve, ku pati sjellë përmbledhurazi disa prej prononcimeve që dëshmojnë një gjë të tillë.
Megjithatë, tani kemi arritur tek epilogu përfundimtar: Heerenveen zyrtarisht ka njoftuar që me Dreshevicin do të përshëndetet në fund të këtij sezoni, duke paralajmëruar mos rinovimin e kontraratës.
Në mesin e disa lojtarëve që kishin kontratat pezull, meqë u skadonin pas pak javësh me afrimin e muajit qershor, drejtuesit e klubit konfirmuan që vetëm me dy prej tyre, Erwin Mulder dhe Nick Bakker, ata do t'i vazhdojnë negociatat, ndërsa pjesa tjetër, përfshirë këtu Dreshevicin, janë të lirë të largohen nga ekipi në fund të qershorit.
Kjo nënkupton që 25-vjeçari do të ketë të drejtë të largohet me parametra zero, pa përfituar klubi asnjë qindarkë nga largimi i tij gjetiu. Gjatë sezonit të parë kur u transferua në kampionatin holandez nga Elfsborg, gjeti shumë pak minutazh, pasi në të shumtën e rasteve qëndronte në bankën rezervë. Në dy sezonet që pasuan ai tregoi aftësitë e tij, ku zuri pozitën e titullarit si qendërmbrojtës. Katandisja filloi mu në këtë sezon, ku nuk bindi me paraqitje të mira dhe u bë shkaktar i shumë golave të pësuar, gjë që bëri që ta humbaste pozitën e titullarit për më shumë se nëntë javë gjatë dimrit. As shkarkimi i trajnerit Johnny Jansen që ndodhi në fund të muajit janar dhe ardhja e trajnerit të ri danez, Oli Tobiansen, nuk ndryshuan shumë punë që ai të bindej dhe të qëndronte tek ekipi holandez. I pari [trajneri Jansen] përveç që e kishte larguar nga petku i lojtarit startues në formacionin bazë, e kishte kritikuar rëndë edhe publikisht, pa e kursyer fare, duke thënë se "nuk i besohet nivelit të koncentrimit të tij [Dreshevicit] në lojë". Me trajneri Tobiansen ai fitoi sërish statusin e lojtarit titullar, por për hir të së vërtetës shkëlqimin nuk e riktheu kurrë më, me paraqitjet e tij gjithnjë me luhatje. Kështu merr fund edhe aventura e tij te Heerenveen.
Para dy vitesh gjiganti holandez PSV kishte treguar interesim për shërbimet e lojtarit kosovar, por atëbotë Dreshevic fliste troç dhe pa rezerva rreth të ardhmës së tij.
"Unë luaj për një ambicie: dua të zhvillohem sa më shumë si lojtar. Qëllimi im është të luaj në Angli, Gjermani, Spanjë ose Itali", kishte nënvizuar ai për shtypin holandez.
Dreshevic qartazi nuk ka shfaqur asnjë pëlqim për kampionatin francez dhe holandez. Kështu edhe gjasat që ai të përfundojë në njërën prej ekipeve holandeze si lojtar i lirë janë në mëdyshje, falë preferancave të tij që veçse i ka bërë publike.