Franco Foda: Nuk jemi të kënaqur me vendin e dytë, synojmë vendin e parë në grup
Kombëtarja e Kosovës nesër do ta zhvillojë ndeshjen e radhës në kuadër të Ligës së Kombeve, ku në Fadil Vokrri e pret Qipron.
Për të folur për këtë përballje si dhe fitoren ndaj Lituanisë, në një konferencë për shtyp sot dolën Edon Zhegrova dhe trajneri Franco Foda.
Trajneri foli për shumë gjëra, ku u tregua optimist për fitore nesër.
"E dimë që Qipro ka trajner të ri. Duhet të lujamë me energji të njejtë si ndaj Lituanisë, me mendësi të njëjtë. Qipro luan lojë më dinamike, bën presion, por ne jemi mirë të përgatitur, kemi energji për këtë lojë dhe do ta fitojmë."
Sipas tij e vetmja mangësi ndaj Lituanisë ishte që nuk realizuan më shumë.
"Në lojën e kaluar kemi treguar cilësi, jemi munduar që sa më herët ta vëmë në presion ekipin e Lituanisë dhe kemi treguar agresivitet dhe energji pozitive, kemi pasur topin në kontroll, posedim të mirë, kualitete të mira. Kishim një mangësi, sepse kemi mundur të shënojmë më shumë, por nuk arritëm. Tani në stërvitjen e radhës që kemi do të përgatitemi dhe do të tentojmë të luajmë më ndryshe dhe më mirë ndaj Qipros."
Kosova do të jetë pa Elvis Rexhbeçajn e pezulluar, ndërsa Valon Berisha është në dyshime për shkak të një lëndimi.
"Aro Muric ka qenë i lënduar prandaj nuk ka luajtur. Ai është kthyer me skuadrën dhe do ta shohim në vijim se a do të jetë i gatshëm për të luajtur. Rexhbeçaj është i pezulluar për shkak të kartonëve dhe duhet të gjejmë një alternativë për të. Valon Berisha është në dyshim për këtë përballje për shkak të lëndimit dhe do të shohim në vijim se a do të luajë a po jo."
Në pyetjen se a mundet Muharrem Jashari ta zëvendësojë Elvis Rexhbeçajn, Foda tha:
"Nuk mund të themi 100% se me kë do të zëvendësojmë Elvisin, por mund të themi që Muharrem Jasharin e kemi vëzhguar shumë mirë, ka lënë përshtypje të mira, është e mundur që mund të luajë nga fillimi. Ai është tip tjetër lojtari nga Rexhbeçaj, ka kualitete të mira dhe posedon topin shumë mirë. Në stërvitjen e sotme do ta dijmë si të veprojmë nesër."
Trajneri i Kombëtares thotë se Kosova tregoi që janë ekip që luajnë mirë bashkë, dhe këtë synojnë ta bëjnë edhe ndaj Qipros.
"Në lojën e kaluar ndaj Lituanisë kemi treguar se jemi ekip, që luajmë së bashku shumë mirë. Në çdo bisedë me lojtarët ju them se e rëndësishme është të bashkëveprojmë. Dihet që e rëndësishme është të luash mirë futboll, por më e rëndësishme është të luash së bashku mirë futboll. Ekipa ka treguar mund, shumë energji dhe janë kuptuar mirë. Dihet që kemi treguar mentalitet të mirë. Kemi mundur të shkojmë 3:0, por kemi marrë një gol, ama kjo nuk na ka dobësuar për shkak se ekipa ka qenë e përgatitur dhe e bashkuar. Të njëjtën gjë do ta provojmë edhe nesër, të luajmë lojën tonë më të mirë."
Synimi kryesor i Dardanëve është vendi i parë në grup, dhe për këtë Franco Foda tha se do ta synojnë fitoren edhe ndaj Rumanisë në nëntor.
"Sigurisht që nuk jemi të kënaqur kurrë me vendin e dytë, por ne do të luftojmë që të fitojmë ndeshjet. E rëndësishme të vendosim prioritete të larta, ta synojmë vendin e parë. E rëndësishme të fitojmë ndaj Qipros, por e rëndësishme është edhe rezultati mes Rumanisë e Lituanisë në ndeshjen tjetër. Sigurisht që do të synojmë fitore ndaj Rumanisë në nëntor, dhe do të bëjmë gjithçka për vendin e parë në grup."
Përkundër mungesës së një lojtari të rëndësishëm si Vedat Muriqi, trajneri është i bindur se do të përshtaten me stil të ri të lojës.
"Padyshim që Vedat Muriqi është i rëndësishëm për skuadrën, është një lider. Ai merr përgjegjësi dhe kontribuon në ekip, por fatkeqësisht ai është i lënduar dhe kur dikush është i lënduar i hapet mundësia të tjerëve për t'u treguar. Vedati është tip tjetër, kemi opsione si Asllani e Rrahmani. Me këto ndryshime të vogla, duhet që të përshtatemi me sistem tjetër dhe mënyra e lojës ndryshon pak, por në përgjithësi në fushë do të tregojmë që jemi të gatshëm të përshtatemi."
Kombëtarja e Kosovës nesër përballet me Qipron, skuadër të cilën e mposhti lehtësisht një muaj më parë në udhëtim.