Katar 2022 | Franca do të ankohet në FIFA, pretendojnë se goli i Griezmann ishte i rregullt
Kombëtarja e Francës është duke shqyrtuar mundësinë për të paraqitur një ankesë në shtëpinë e futbollit botëror, FIFA, pasi goli i frymës së fundit i shënuar nga Antoine Griezmann, kundër Tunizisë u anulua për pozitë jashtë loje, ku francezët pretendojnë se ishte vendim i gabuar.
Ylli i Atletico Madridit goditi mirë për të shënuar në minutat shtesë, por me të konsultuar gjyqtari kryesor me dhomën e VAR-it goli u anulua, pasi në momentin kur Aurelien Tchouameni dërgoi topin në zonë, sulmuesi ishte në pozitë jashtë loje, edhe pse topi pastaj u kthye nga mbrojtësi i Tunizisë.

Në këtë rast Griezmann ishte në pozitë jashtë loje në mënyrë aktive sipas gjyqtarëve, pasi që ndikoi në largimin e topit nga mbrojtja tunizianeve.
Pas anulimit të këtij goli, Tunizia u gëzua në fitoren e parë të saj në këtë Botëror, por nuk ishte e mjaftueshme për një kalim tutje në fazën e 1/8 e finales.
Në një deklaratë, Federata Franceze e Futbollit tha: “Ne po shkruajmë një ankesë pasi goli i Antoine Griezmann, sipas mendimit tonë, u anulua gabimisht. Kjo ankesë duhet të depozitohet brenda 24 orëve pas vërshëllimit përfundimtar.”

Kjo humbje për francezët vjen e hidhur, pasi është humbja e parë për ta në Botëror që nga viti 2014.
Franca përkundër që humbi, së bashku me Australinë, u kualifikuan në fazën e eliminimit direkt me nga gjashtë pikë.
Australia do të përballet me Argjentinën, ndërsa Franca me Poloninë, për një vend në çerekfinalen e Kupës së Botës në Katar.
