Formula 1: Verstappeni fantastik e dominon garën e Bahreinit
Max Verstappen e ka filluar vitin 2024 ashtu siç e përfundoi në 2023, pra në mënyrën më të mirë të mundshme, duke triumfuar me dominim në garën e Bahreinit, që është e para për këtë sezon të Formula 1.
Seancat praktike kishin dhënë shpresë për një sezon më konkurrues, por ylli i Red Bullit së bashku me shokun e skuadrës Sergio Perez që mori vendin e dytë, e filluan në mënyrë të jashtëzakonshme sezonin e ri.
Verstappen shmangu një sulm të hershëm nga Leclerc në fillimin e garës, para se të krijonte një avantazh të madh, të cilën e mbajti pastaj gjatë gjithë kohës.
Leclerc pati probleme të vazhdueshme me gomat e makinës dhe përfundimisht mori vendin e katërt, me shokun e tij nga Ferrari Carlos Sainz që zuri një vend në podium.
George Russell i Mercedesit mori vendin e pestë, ndërsa legjenda Lewis Hamilton i cili garoi gjatë gjithë garës me një problem me ulësen e bolidit, u rëndit i shtati.
Piastri, Alonso e Stroll u rënditen në pozitat tetë, nëntë dhe 10 respektivisht.
Verstappen i cili ishte kampion në sezonin 2023, e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme vitin 2024, në një sezon që pritet të jetë shumë atraktiv, me 21 gara të mbetura për t'u zhvilluar deri në muajin dhjetor.