Forma e Muriqit gëzon edhe Lazion, arsyet janë financiare - NACIONALE

Forma e Muriqit gëzon edhe Lazion, arsyet janë financiare

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Vedat Muriqi qëndroi për dy vite te Lazio, por pa lënë ndonjë gjurmë. Megjithatë, klubi italian tani po i gëzohet formës së sulmuesit kosovar, ngase do të mund të fitojë shumë të madhe parash nga shitja potenciale e tij.

Për dy sezone sa qëndroi te Lazio, Muriqi nuk shënoi më shumë se dy (2) gola. Ishte në qendër të kritikave nga të gjithë duke mos arritur të përshtatej assesi në skemat e lojës.

Kalimi te Mallorca e ka ndryshuar tërësisht atë, duke e shndërruar në njërin prej protagonistëve absolutë jo vetëm te klubi spanjoll, por edhe në La Liga nëse flasim sa i përket shënimit të golave dhe ndikimit kyç në ndeshje.

Megjithëse në klubin e tyre nuk i shpagoi 20 milionë eurot e investuara për të, tani Lazio është duke kryqëzuar gishtërinjtë sipas medieve italiane për shkak se gjithë kjo formë magjepse në të cilën po kalon Muriqi mund t’i sjellë dobi të mëdha klubit.

Shitja e Muriqit shpresë për Lazion

Dobitë janë financiare. Nga ajo që raportohet në shtypin e shkruar italian të afërt me Lazion, siç është “Il Messaggero”, Lazio kur ka vendosur ta shesë Muriqin ka bërë zbritje në çmim, por nuk ka hequr dorë nga një pjesë e marrëveshjes, ku thuhet se klubi italian do ta ketë 45% të përfitimit nga shitja e sulmuesit “dardan” në të ardhmen.

Klauzola e një shitje eventuale të Muriqit mendohet të jetë prej 30 deri në 40 milionë euro. Në terma të zbërthyer, Lazio thuajse do të prekte shifrën e 20 milionë eurove të inkasuara nëse do të trokiste ndonjë klub në zyret e Mallorcas për ta blerë kartonin e tij.

Lazio njihet si një klub që nuk operon me një buxhet të madh në afatin kalimtar. Shitja e lojtarëve është elementi në të cilin klubi koncentrohet më së shumti, meqë përdorët si mjet gjenerimi parash për të sjellë përforcime të reja në organikën e skuadrës.

Pikërisht në këtë kontekst, gjithmonë duke u referuar medieve medieve italiane, klubi i drejtuar nga Lottito po mban shpresa të mëdha që kjo formë e Muriqit të vazhdojë dhe ndonjë klub të vendosë ta paguajë klauzolën e tij.

Deri më tani ai ka shënuar 8 gola në La Liga duke qenë golashënuesi i dytë më i mirë në kampionat menjëherë pas një sulmuesi vrastar golash siç është Lewandowski, që ka shënuar 13 gola.

Nga ana e tij, Vedat Muriqi është shprehur shumë i lumtur me momentumin që po kalon te klubi ishullor spanjoll. Madje, ai ka shprehur gatishmërinë dhe vullnetin e tij që ky rrugëtim të zgjasë deri në pensionimin e tij si futbollist, për të qenë kështu njëri prej figurave eminente që do të shënohej në historinë e klubit.

Mallorca për momentin zë vendin e 11-të në tabelë me 17 pikë të arkëtuara. Vlen të theksohet fakti që më shumë sesa gjysma e golave të shënuar vijnë nga Muriqi.

Kontrata e përfaqësuesit kosovar me skuadrën e drejtuar nga Aguirre është e lidhur deri në verën e vitit 2027.

Lajme të ngjashme