Flick: Duhet të punojmë shumë për ta fituar Ligën e Kampionëve
Trajneri i Barcelonës Hansi Flick beson se duhet të punojnë më shumë për ta fituar Ligën e Kampionëve.
Katalunasit janë në formë të jashtëzakonshme ku së fundmi turpëruan Real Madridin e Bayern Munichun, kësisoj pritshmëritë janë rritur dukshëm nga tifozët.
Në konferencë për shtyp para ndeshjes së ardhshme, Flick është pyetur për gjasat e Barcelonës në Ligën e Kampionëve, mirëpo deklaroi se ende duhet shumë punë.
“Ka shumë punë për t’u bërë. Ka shumë skuadra tjera të mira që duan gjënë e njëjtë. Në fund, duhet të fokusohemi në punë dhe të shohim se çfarë do të ndodhë. Do të donim ta fitonim, sigurisht, duam t’i fitojmë të gjitha ndeshjet”.
“Pikët? Nuk kemi kalkuluar se sa duhen. Nuk e di as ku renditemi. Nuk është e rëndësishme se si e kemi nisur por si përfundon. Qëllimi ynë është të jemi në top tetë”.
“Derbi lokal me Espanyolin? I thashë skuadrës se derbi mbaroi. Kemi luajtur mirë këto muajt e fundit. Është Liga e Kampionëve dhe të gjithë e dinë sa e rëndësishme është të fitosh. Duam të jemi në top tetë dhe të shkojmë direkt në raundin e 16-të. Skuadra po kalon mirë, e dimë se çfarë duhet të bëjmë për t’u përmirësuar. Nesër do të luajmë ndeshje të mirë”, deklaroi ai.
Barcelona është mysafire e skuadrës serbe Crvena Zvezda të mërkurën me fillim nga ora 21:00.