Flasin analistët: Sa janë gjasat e Trepçës ndaj Yllit dhe kush do shpallet kampion i Kosovës? - NACIONALE

Flasin analistët: Sa janë gjasat e Trepçës ndaj Yllit dhe kush do shpallet kampion i Kosovës?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Edhe pse Trepça u ‘ringjall’ në ndeshjen e fundit duke mposhtur Golden Eagle Yllin dhe vazhduar seritë finale, kampioni i Kosovës pritet ta mbrojë titullin, kështu thonë analistët e basketbollit, si Betim Berisha dhe Altin Sahiti.

Skuadra nga Suhareka është në avantazh pas tre ndeshjeve të para finale, me rezultat të ngushtë 2:1.

Ylli fillimisht fitoi ndeshjen e parë me rezultat të ngushtë 63:62, me pikët vendimtare që u vulos në çastet e fundit.

Pastaj, kampioni i Kosovës vazhdoi bindshëm edhe në takimin e dytë, për ta çuar serinë në 2:0, duke fituar me rezultat 46:60.

Sidoqoftë, pas dy humbjeve të para, skuadra mitrovicase nuk u dorëzua dhe arriti të fitojë në Suharekë me rezultat 55:58, duke mos e lejuar Yllin të shpallet kampione dhe të vazhdojnë seritë finaliste.

Sido që të jetë, analistët e basketbollit mendojnë që Golden Eagle Ylli do ta mbrojë titullin kampion i Kosovës, edhe pas fitores së fundit të Trepçës që i solli shpresë kësaj së fundit.

Betim Berisha – trajner i njohur në basketboll për Gazetën Nacionale deklaroi se Trepça befasoi të gjithë duke triumfuar në Therandë dhe që ishin shumë të mirë, "sidomos në aspektin e mbrojtjes".

“Edhe pse vërtetë menduam që suharekasit në ndeshjen e tretë veçse do ta mbyllin çështjen e fituesit të kampionatit për sivjet, kështu nuk doli pasi që Trepça me një lojë të fortë si në sulm, por sidomos në aspektin e mbrojtjes arritën ta fitojnë dramën e jashtëzakonshme në “13 Qershori” në Therandë duke u kthyer nga një tunel me pak dritë, arritën ta rikthejnë shpresën duke afruar rezultatin në seri 2:1 dhe për ta dërguar serinë në ndeshjen e katërt që zhvillohet të enjten mbrëma, me fillim nga ora 20:30 në “Minatori”.

Berisha mendon se Trepça do të arrijë fitore në ndeshjen e katërt, por që në fund Ylli do shpallet sërish kampion.

“Mendimi im është se Trepça do ta barazojë serinë në 2:2, ndërsa loja e fundit, pra ndeshja e pestë që luhet në Suharekë, ekipi i Yllit do të arrijë të fitojë dhe të shpallet kampion”, nënvizoi Berisha.

Ndërsa, ish basketbollisti, njëkohësisht njohës i mirë i basketbollit në Kosovë, Altin Sahiti për Gazetën Nacionale, tha se tre ndeshjet e para ishin fantastike dhe kishte shumë ‘fair-play’ edhe nga tifozët e tyre.

“Tri ndeshjet e para kanë qenë fantastike si në lojë ashtu edhe në shikueshmëri. Shumë lehtë ka mundur me qenë edhe 2-1 për Trepçën, pasi që loja e parë në fund iu ka ikur nga dora. Mirëpo, do të mund të ishte edhe 3:0 për Yllin”.

“Ajo që vlen me u përshëndet në këto tri lojë të mbajtura ishte ‘fair-play’ brenda dhe jashtë fushës, ku edhe tifozët kanë qenë shumë korrekt me njëri-tjetrin. Mendoj që Trepça është shumë më e ngarkuar në emocione në krahasim me Yllin për shkak se i gjithë qyteti është zgjuar për ata dhe kjo i sjell në presion të madh”.

I pyetur për një ‘parashikim’, Sahiti njësoi si Berisha mendon se seria finale do barazohet në Mitrovicë, mirëpo në fund Ylli do ketë përparësinë.

“Parashikimi im është që seria do të barazohet në Mitrovicë dhe pastaj ndeshja e fundit do të jetë për infarkt ku vetëm detajet do të mund të vendosin. Për shkak të përvojës së lojtarëve, unë mendoj që Ylli është në përparësi të vogël ndaj Trepçës”, përfundoi Sahiti.

Gazeta Nacionale gjithashtu ka kontaktuar edhe ish basketbollistin e Pejës, Samir Shaptahovic, por ky i fundit ka treguar se më nuk e përcjell basketbollin e Kosovës.

“Fatkeqësisht nuk jam duke e shikuar më basketbollin e Kosovës. Shpresoj të më kuptosh. Ai nuk është më sport në Kosovë”, ishte përgjigja e Shaptahovicit.

Kujtojmë, se ndeshja e katërt finale mes dy skuadrave të lartpërmendura zhvillohet pas dy ditëve, në palestrën “Minatori” dhe do të nis në ora 20:30.

Lajme të ngjashme