A duhet cilësuar ‘vëllazërore’ ndeshja ndaj Zvicrës dhe sa janë gjasat për fitore?
Analistët e njohur të futbollit tonë si Afrim Tovërlani, Arbnor Morina dhe Gani Sejdiu për Gazetën Nacionale, kanë dhënë mendimet e tyre lidhur me ndeshjen miqësore mes Zvicrës dhe Kosovës.
Nga Edonis Bytyqi
Kombëtarja e Kosovës pas fitores së madhe ndaj Burkina Fasos në “Fadil Vokrri” (5:0), do jetë mysafir i Zvicrës në Cyrih të martën e ardhshme.
Mediumet zvicerane, sidomos më i madh prej tyre “Blick”, e ka cilësuar këtë ndeshje si vëllazërore, ngase shumë yje nga Kosova përfaqësojnë kombëtaren helike.
Mirëpo, duke marrë parasysh se ishte kjo Zvicër që doli kundër pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA, a duhet cilësuar kjo ndeshje si miqësore?
Gazeta Nacionale ka kontaktuar me tre analistët e futbollit tanë, si Afrim Tovërlani, Arbnor Morina dhe Gani Sejdiu që ishin të mendimit që “Dardanët” duhet të shkojnë vetëm fitore, ndërkohë çështja që Zvicra ishte kundër Kosovës ka përfunduar dhe duhet të shikohet përpara.
Trajneri më i trofeshëm në futbollin kosovar, Afrim Tovërlani theksoi se ndeshja ndaj Zvicrës do jetë shumë më ndryshe se kundër Burkina Fasos, shkaku që helikët janë më të fortë.
“Ndeshja ndaj Zvicrës do të jetë shumë më ndryshe se ndaj Burkina Fasos sepse Zvicra është shumë më e fortë dhe do ketë skuadër më të kompletuar”.

‘Toki’ tutje thotë se nuk ka rëndësi si cilësohet kjo ndeshje dhe do jetë një test i mirë për dy përfaqësueset para kualifikueseve të radhës.
“Sa i përket ndeshjes, nuk ka rëndësi nëse quhet vëllazërore apo miqësore sepse është një test për dy përfaqësueset me pa në cilin nivel gjenden dhe që do t’iu shërbejë mirë sa i përket ndeshjeve kualifikuese. Për Zvicrën, veçse e dimë arsyen pse ishte kundër Kosovës sepse shumë lojtarë shqiptarë që luanin te Zvicra do vinin te Kosova, gjë që është konfirmuar, ndërsa ata që kanë mbetur te Zvicra, hiq s’ka rëndësi sepse Zvicra iu ka hap dyert”.
Ndërsa, ish trajneri i shumë klubeve elitare kosovare, Arbnor Morina, tani në krye të Ferizajit, u shpreh se nuk duhet vlerësuar si ndeshje vëllazërore dhe që Kosova duhet të shkojë vetëm për fitore.

“Jo, kjo nuk është luftë e as politikë, kjo është sport. Është ndeshje miqësore që do i shërbejë përzgjedhësit të ri (Alain Giresse) që të shoh kualitetin e lojtarëve që nuk zhvilluan minuta në ndeshjen e kaluar”.
“Nuk është as ndeshje vëllazërore, ka përfunduar koha e ndeshjeve miqësore dhe aty vëllazërore, kur luan kombëtarja, e përfaqëson shtetin tonë, prandaj duhet të luajmë për fitore”, nënvizoi ai.
Kurse, ish trajneri i Drenicës, Gani Sejdiu e vlerësoi si ndeshje të vështirë dhe beson se kjo ndeshje vlerësohet vëllazërore nga mediumet e jashtme falë yjeve shqiptarë që përfaqësojnë shtetin e Zvicrës.
“Ajo kohë veçse ka kaluar (Zvicra që ishte kundër Kosovës në pranimin në UEFA dhe FIFA), atëherë ka qenë edhe interes nga Zvicra, shkaku i lojtarëve shqiptarë që përfaqësojnë atë shtet. Por, tash është mirë që e vlerësojnë si ndeshje vëllazërore, kuptohet arsyeja është këta lojtarë shqiptarë që përfaqësojnë Zvicrën. Do jetë një ndeshje e vështirë pasi Zvicra është një ndër pesë apo gjashtë shtetet më të mira në botë”.

I pyetur nëse kemi gjasa që të mposhtim Zvicrën, ai deklaroi: “Mendoj që po. Jemi në formë të mirë, Giresse ka skuadër të mirë sidomos pasi lojtarët janë në formë të mirë në ekipet e tyre respektive. Ndaj Burkina Faso ishte lojë e shkëlqyer, por që Giresse provoi një skuadër të mesme, por që doli e shkëlqyeshme. Mendoj që kemi shanse për fitore, ose se paku të tregojmë vetën si Shqipëria që tregoi kualitetin dje ndaj Spanjës”.
Ndeshja mes Zvicrës dhe Kosovës zhvillohet këtë të martë në stadiumin “Letzigrund” me fillim nga ora 18:00.