Fitore dramatike e Aston Villës ndaj Burnleyt, barazohet me pikë me liderin Liverpool
Befasia e ëmbël e këtij sezoni të Premierligës, Aston Villa, ka shënuar fitore dramatike 3:2 ndaj Burnleyt, për të shkuar në kuotën e 42 pikëve, aq sa ka lideri Liverpool, me këta të fundit që kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.
Përballja në Villa Park ishte shumë interesante, ku në dy raste të ndryshme rezultati u barazua nga mysafirët, por skuadra e Unai Emery shënoi pak minuta para fundit për të marrë pikët e plota në shtëpi dhe ka mundësi të mëdha që ta mbyll vitin në vendin e dytë, nëse Arsenali nuk merr fitore nesër ndaj Fulham.
Seria e golave u hap nga Aston Villa, ku Leon Bailey shënoi për 1:0 në minutën e 28-të, i asistuar nga Ollie Watkins.
Burnley me Zeki Amdouni u kundërpërgjigj shpejt, duke barazuar rezultatin dy minuta më vonë.
Në minutën e 42-të Villa gjeti rrjetën përsëri. Kësaj radhe shënoi Moussa Diaby, ndërsa Watkins përsëri asistoi. Me rezultatin 2:1 përfundoi pjesa e parë.
Me të nisur 45 minutat e dyta, Sander Berge, për mysafirët mori kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua nga loja për të përkeqësuar gjërat për skuadrën e tij.
Përkundër kësaj Burnley nuk u dorëzua dhe barazoi rezultatin me golin Lyle Foster në minutën e 72-të.
Kur ndeshja po shkonte drejt fundit, një ndërhyrje e pakontrolluar në zonë dhe u akordua penallti për Aston Villën. Përgjegjësinë e mori Douglas Luiz, i cili në minutën e 89-të e konvertoi 11-metërshin në gol, për fitoren e madhe 3:2.
Aston Villa me këtë fitore momentalisht gjendet në vendin e dytë me 42 pikë, aq sa ka Liverpooli i vendit të parë, ndërsa vetëm Arsenali mund të bëjë problem me një fitore eventuale nesër, për t'i dërguar ata në pozitën e tretë.