Fitojnë Arsenal e Man United, humbet City – Tottenham jashtë garave evropiane
Tashmë ka përfunduar edhe zyrtarisht ky edicion i Premierligës, me Tottenham Hotspur që në xhiron e fundit mbeti jashtë garave evropiane.
E nisim me kampionin - Manchester City. Skuadra e Pep Guardiolas u befasua në udhëtim te Brentfordi, duke pësuar humbje me rezultat 1:0.
Edhe si disa xhiro paraprake, tekniku spanjoll vendosi t'i pushojë disa nga yjet kryesorë duke vendosur një pjesë të madhe të bankës rezervë.
Sidoqoftë, Brentford shënoi një fitore të vonshme falë një goli fantastik të Ethan Pinnok që la të shtangur portierin mysafir.

Man City e mbylli këtë edicion me 89 pikë derisa Brentfordi si pozitë e nëntë me 59 sosh.
Në anën tjetër, nënkampioni Arsenal triumfoi bindshëm në shtëpi ndaj Wolvesit me rezultat të thellë 5:0.
Granit Xhaka shënoi dy gola të shpejtë për tre minuta për të gëzuar tifozët e pranishëm në ndeshjen e fundit në fanellën e "Topçinjve" (11', 14').

Ndërsa, fitoren e vulosen me nga një gol Bukayo Saka (27'), Gabriel Jesus (58') dhe Jakup Kiwior (78').
Arsenal e përfundon këtë edicion si pozitë e dytë me 84 pikë derisa Wolves renditet e 13-ta me 41 sosh.
Manchester United gjithashtu ka shënuar fitore të vështirë në shtëpi ndaj Fulhamit duke arritur përmbysje nga 0:1 në 2:1.
Fulham kaloi në epërsi me anë të Tete, por që "Djajtë e Kuq" arritën ta barazonin përmes Jadon Sanchos (39').

Ndërsa, fitoren e siguroi goli i bukur i Bruno Fernandesit pas 55 minutave lojë. Pas këtyre tre pikë, skuadra e Ten Hag e mbyll sezonin si vend i tretë me 75 pikë, kurse Fulham në vendin e 10-të me 52 sosh.
Liverpool është ndalur në një barazim me Southamptonin, sfidë ku u shënuan plotë tetë gola (4:4).
"Reds" kaluan në epërsi të dyfishtë me anë të Jotas dhe Firminos, por pastaj Southampton disi arriti ta përmbysë në 4:2 (Ward-Prowse, 2x Suemana, Armstrong).
Mirëpo, sërish Liverpool nuk u dorëzua duke shënuar dy herë brenda një minuti lojë me anë të Gakpos dhe Jotas për ta siguruar një pikë në xhiron finale.
Liverpool edicionin tjetër do të luajë në Ligën e Evropës si vend i pestë me 67 pikë kurse Southampton në Championship.

Tottenham ka mbetur jashtë garave evropiane pavarësisht fitores 1:3 ndaj Leeds Unitedit.
Me fitoren e Aston Villas kundër Brightonit skuadra londineze e përfundoi edicionin si pozitë e tetë.
Në anën tjetër, Chelsea arriti vetëm një barazim në shtëpi ndaj Newcastle Unitedit (1:1)