“Finale e bukur, eh”: Ronaldo komenton me Ancelottin finalen e Superkupës së Spanjës (VIDEO)
Gjatë ditës së sotme Real Madridi kishte një mysafir të posaçëm. Në seancë stërvitore u shfaq Cristiano Ronaldo. Këtu nuk mungoi as takimi me trajnerin Carlo Ancelotti.
Madrilenët po bëjnë përgatitjet e fundit para aktit final të Superkupës së Spanjës, që do të zhvillohet të dielën mbrëma ndaj rivalit të përbetuar Barcelona. Për t’i inkurajuar ata, si dhe për t’i vizituar paksa pas një kohe të gjatë – mendoi Cristiano Ronaldo, që ishte pjesë e stërvitjes së sotme që zhvilluan “Galaktikët”.
Në llogaritë zyrtare në rrjetet sociale të Real Madridit u publikua një video e vizitës së Ronaldos në seancën stërvitore ku skuadra spanjolle zhvilloi përgatitjet e sotme. Në bashkëbisedimin me Ancelottin ylli portugez u dëgjua teksa fliste italisht.
“Finale e bukur, eh” – që padyshim kishte referencë finalen e Superkupës së Spanjës kundër Barcelonës. Një takim i këndshëm ky për Ronaldon. Edhe më i natyrshëm u bë ky takim pasi Real Madridi po i zhvillon përgatitjet mu në qendrën stërvitore të Al-Nassr, klub ky në të cilin është transferuar së voni vetë 37-vjeçari.
💥 ¡Qué bueno volver a verte, @Cristiano! 🫡
— Real Madrid C.F. (@realmadrid) January 13, 2023
🤝 @MrAncelotti
🙌 @OficialRC3 pic.twitter.com/V4pqKMVr8d
Jo vetëm me Ancelottin, por pesë herë fituesi i Topit të Artë është parë i afërt edhe me lojtarët e Real Madridit. Me disa prej tyre edhe ka shkrepur fotografi, siç ishte rasti i Vinicius JR. Fotografi këto që u publikuan nga faqja zyrtare e Real Madridit.
👍 @Cristiano 🔥 @vinijr 🤙 pic.twitter.com/bVo9AlEUO6
— Real Madrid C.F. (@realmadrid) January 13, 2023
Gjithsesi, Ronaldo gjithashtu po bën përgatitjet e tij për ta nisur edhe zyrtarisht aventurën në kampionatin arab, pasi akoma nuk ka mundur ta bëjë një debutim zyrtar, si rrjedhojë e pezullimit me dy ndeshje moslojë, që është dhënë prej Federatës së Futbollit të Anglisë gjatë kohës kur ai ishte pjesë e Manchester Unitedit – por që ka ndikim juridik në çdo federatë që është pjesë e ombrellës së FIFA-s.
