Fidan Aliti: Shpresojmë në rezultate pozitive, miqësoret shërbejnë ta njohim më mirë trajnerin e ri
Kombëtarja e Kosovës në futboll po kryen përgatitjet e fundit në krye me trajnerin e ri Franco Foda, për dy ndeshjet miqësore të marsit. Mbrojtësi me përvojë, Fidan Aliti u shpreh se kërkojnë rezultate pozitive, por që rëndësia kryesore në këto miqësore është të njihen me trajnerin e ri.
Aliti tashmë një veteran te Dardanët, pasi është i ftuar i përhershëm, thotë se i pret një e ardhme me suksese.
"Shpresojmë që me rezultate pozitive dhe besoj se këto dy ndeshje e ajo në qershor na ndihmojnë për t'u njohur me trajnerin si dhe ai të na shohë neve se si po luajmë, por e rëndësishme që ne ta njohim si karakter si tip dhe besoj se e ardhmja na pret me suksese."
Mbrojtësi i Alanyaspor foli për kundërshtarin në ndeshjen e dytë miqësore, Hungarinë, të cilët tha se janë ekip me lojtarë të mirë.
"Një ekip me lojtarë shumë të mirë, pasi ata do të shkojnë në Evropian dhe kjo tregon se kanë lojtarë me kualitet, por është një lojë miqësore dhe këto do të jenë hapat e parë drejt sukseseve."
Tutje 30-vjeçari shtoi se kanë punuar taktikisht me trajnerin e ri dhe se kanë mësuar pak nga pak nga filozofia e Franco Fodës.
"Kemi punuar shumë taktikisht, trajneri na ka treguar për filozofinë e tij dhe si ka qejf të luajë me neve dhe besoj se kjo është shumë e rëndësishme."
Kujtojmë se Kombëtarja e Kosovës zhvillon dy miqësore këtë muaj, fillimisht në udhëtim te Armenia më 22 mars, ndërsa pas katër ditësh, më 26 mars udhëton për t'u përballuar me Hungarinë, kombëtare kjo që luan në EURO 2024.