FFK me dënime të ashpra për të 'përfshirët' në kurdisje të ndeshjes mes Ulpianës dhe Vllaznisë - NACIONALE

FFK me dënime të ashpra për të 'përfshirët' në kurdisje të ndeshjes mes Ulpianës dhe Vllaznisë

1 javë më parë

nga NACIONALE

Komisioni Disiplinor dhe i Etikës brenda Federatës së Futbollit të Kosovës, ka marrë vendime të reja sot në lidhje me ndeshjen e shumë përfolur mes Ulpianës dhe Vllaznisë, për të cilën shtëpia e futbollit kosovar e ka konfirmuar se ishte e kurdisur.

Me arsyetimin si përfshirje në kurdisje, FFK ka dhënë dënime të ashpra për disa individë, të cilët ishin përmendur edhe kur ndeshja u cilësua e kurdisur.

Zyrtari i Vllaznisë së Pozheranit, Agon Pira, është dënuar me një vit ndalesë në kryerje të të gjitha funksioneve zyrtare në klub, në garat që organizohen nga FFK.

Arsyetimi ishte se i njëjti ka bërë shkelje të rëndë të Statutit dhe të rregulloreve të FFK-së, andaj i është shqiptuar ky dënim.

Në anën tjetër te Ulpiana janë dënuar Meriton Isufi që është zyrtar i klubit dhe tre lojtarët: Samet Rexhepi, Ridon Llugiqi dhe kapiteni Gentian Emini.

Isufi njëjtë si Pira me një vit ndalesë në kryerje të të gjitha funksioneve, ndërsa tre lojtarët lartëcekur kanë ndalesë të mos luajnë për një vit në ndeshjet që organizon FFK.

Arsyetimi qëndron i njëjti për të gjithë, pra përfshirje në kurdisje të ndeshjes, duke shkaktuar shkelje të rëndë të Statutit dhe rregulloreve të FFK-së.

Për ndeshjen e përmendur që përfundoi me rezultat 4:3 në të mirë të skuadrës nga Vitia, si Ulpiana ashtu edhe Vllaznia janë përjashtuar nga Liga e Parë dhe nga sezoni i ardhshëm do të luajnë në Ligën e Dytë, apo kategorinë e tretë të garave në futbollin e Kosovës.

Lajme të ngjashme