FFK-ja e dënon Prishtinën për organizimin e dobët të ndeshjes me Ballkanin - NACIONALE

FFK-ja e dënon Prishtinën për organizimin e dobët të ndeshjes me Ballkanin

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Prishtina është ndëshkuar me zhvillimin e dy ndeshjeve si vendas jashtë stadiumit Fadil Vokrri dhe madje krejtësisht jashtë kryeqytetit, për shkak të organizimit të dobët të ndeshjes kundër Ballkanit në Superligë fundjavën e kaluar.

Prishtina dështoi në organizimin e ndeshjes kundër kampionit të Kosovës të dielën – të cilën e humbi 1:0 – pasi në stadium munguan forcat e rëndit dhe rojet e sigurisë para fillimit të ndeshjes dhe në minutat e parë të saj.

Si pasojë, tifozët vendas Plisat i sulmuan tifozët vizitor nga Suhareka, duke i lënduar tre prej tyre. Policia erdhi në stadium vetëm pas dhunës së ushtruar nga Plisat ndaj Xhebrailave.

“Bazuar në nenin 53 paragrafi 1 pika D i Rregullores disiplinore FC “Prishtina”, dënohet me dy ndeshje zyrtare të radhës jashtë fushës së vetë. (Jashtë qytetit të Prishtinës)”, thuhet në një njoftim të FFK-së të premten.

Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës vendosi t’i dënojë me gjobë të dy klubet për shkak se tifozët e tyre shkaktuan dëme materiale në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë.

Prishtina është gjobitur me 1200 euro, ndërsa Ballkanit me 1000 euro.

Drejtuesit e Prishtinës nuk ishin përkujdesur që të kishte siguri në stadium gjatë asaj ndeshjeje, pasi – përveç mungesës së policisë në fillim – në tribuna munguan edhe rojet e sigurimit.

Kjo ua mundësoi tifozëve nëpër shkallët e stadiumit të lëviznin kah të dëshironin. Një pjesë e tyre i kaluan rrethojat madje dhe zunë vendet e gazetarëve në tribunën e mediave për ta përcjellë ndeshjen nga aty.

Si rrjedhojë e dënimit, Prishtina në dy ndeshje zyrtare të radhës që ishte paraparë të luheshin në Fadil Vokrri, ajo me Malishevën më 14 shtator dhe me Trepçën 89 më 2 tetor nuk do të luhen në kryeqytet dhe mbetët të mësohet vendi se ku do zhvillohen këto ndeshje.

Ndërsa ndeshjet tjera zhvillohen në rrjedhën normale të paraparë në kalendarin e Federatës së Futbollit të Kosovës.

Të dy klubet e përfshira në këtë incident, i pret një fundjavë mjaftë e vështirë, pasi që të dyja luajnë kundër skuadrave nga Gjilani. Prishtina në udhëtim përballet me Gjilanin, ndërsa Ballkani në shtëpi e pret Dritën.

Të dy këto ndeshje zhvillohen të dielën me fillim nga ora 15:00.

Lajme të ngjashme