FFK i konfirmon bisedimet me talentin e Rijekas - NACIONALE

FFK i konfirmon bisedimet me talentin e Rijekas

2 vjet më parë

nga Edonis Bytyqi

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka nisur negociatat me mesfushorin e Rijekas Veldin Hoxha, kështu së paku deklaroi menaxheri Bajram Shala për Gazetën Nacionale.

Hoxha është kryelajmi i ditëve të fundit në mediat kroate pasi agjenti i tij ditë më parë deklaroi se Kosova e ka kontaktuar.

Fillimisht u mendua se agjenti i 21-vjeçarit është duke tentuar t’i bëjë presion Federatës Kroate që ta ftojë në ekipin e parë, mirëpo menaxheri i FFK-së për Nacionalen konfirmoi që deklarata e këtij të fundit janë plotësisht të vërteta.

I pyetur nëse FFK ndodhet në bisedime me lojtarin, apo janë thjesht deklarata të agjentit që t’i vërë presion Kroacisë, Shala deklaroi:

Po, është e vërtetë. Ne e kemi kontaktuar (Veldin Hoxhën) njësoi si lojtarët e tjerë. Është një ndër lojtarët që e duam, por tani të shohim”.

Kush është Veldin Hoxha?

Velin Hoxha është një ndër lojtarët më premtues në futbollin kroat, pasi e ka fituar edhe vendin titullar te gjiganti Rijeka.

21-vjeçari që luan në pozitën e mesfushorit me tipare defansive është nga Dragashi i Prizrenit, mirëpo deri më tani ka përfaqësuar të gjitha grupmoshat e Kroacisë.

Ai ishte pjesë e Kroacisë në grupmoshat U17, U18, U19 dhe U21 andaj ardhja e tij do të ishte padyshim një prurje e madhe për Kosovën.

Kosova është duke vazhduar të ketë probleme në mesfushë dhe që disa vite “Dardanët” janë detyruar të përdorin lojtarë të pozitave të tjera, siç është rasti i Ibrahim Dreseviqit dhe Betim Fazlijit që janë qendërmbrojtës mirëpo kur përfaqësojnë Kosovën luajnë si mesfushor defansiv.

Këtë sezon Hoxha ka zhvilluar 16 paraqitje në të gjitha garat për Rijekan, duke kontribuar me një asistim.

Rreziku që Kosova mund të përdoret sërish

Sidoqoftë, ende nuk dihet nëse lojtari mund të ketë sado pak dëshirë për të luajtur në fanellën e Kosovës pasi këto vitet e fundit “Dardanët” janë përdorur në disa raste.

Shembulli më konkret është sulmuesi i Genkut Andi Zeqiri, që vite më parë nënshkroi parakontratë me FFK-në për ta përfaqësuar Kosovën, por pastaj nuk erdhi shkaku që mori një ftesë nga Zvicra për Kampionatin Evropian, apo edhe rasti i Uran Bislimit që pranoi ftesën e Kosovës vetëm në ndeshje miqësore por në ato zyrtare zgjodhi Helvetikët.

Kosovën pastaj e refuzuan edhe emra të tjerë si Diant Ramaj, Elvis Rexhbecaj, Mërgim Berisha, Bastien Toma, Amir Saipi dhe Edvin Kurtulus që zgjodhën kombëtaret si Gjermania, Zvicra respektivisht Suedia.

Kosova po humb shumë yje edhe në grupmoshat e reja, meqenëse së fundmi Adrion Pajaziti, Medon Berisha, Dion Berisha dhe Arlind Rexhepi iu bashkuan Shqipërisë U21.

Lajme të ngjashme