FFK e detyron Prishtinën të largohet nga “Fadil Vokrri” - NACIONALE

FFK e detyron Prishtinën të largohet nga “Fadil Vokrri”

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) e ka njoftuar klubin nga kryeqyteti Prishtina se për një periudhë të pacaktuar nuk do të zhvillojë ndeshje në “Fadil Vokrri”.

Edhe pse sezoni i ri po afron, “bardhëkaltërit” do të detyrohen që ndeshjet si vendas të mos i zhvillojnë në shtëpi.

FFK me anë të një emaili zyrtar, të cilin e ka parë Gazeta Nacionale – ka njoftuar Prishtinën se edhe këtë edicion për një kohë nuk do të luajë në “Fadil Vokrri” shkaku i fushës së rënduar, duke pretenduar se duhet të rregullohet fusha për ndeshjet e Kosovës në shtator.

Përshëndetje të nderuar,

Ju njoftojmë që FC Prishtina nuk do të mund t’i zhvillojë ndeshjet kampionale në stadiumin "Fadil Vokrri" me që fusha është e rënduar dhe nga ekspertët e UEFA-së është kërkuar që të bëhet riparimi i tapetit për ndeshjen e rëndësisë së lartë të Kombëtares së Kosovës me Kombëtaren e Zvicrës, e cila do të zhvillohet me 09.09.2023.

Gjatë kësaj kohe ekipet e ekspertëve të fushës do të punojnë në fushën e stadiumit "Fadil Vokrri" që ta aftësojnë atë për ndeshjen e Kombëtares”, shkruhet në emailin e FFK-së drejtuar Prishtinës.

Sidoqoftë, Prishtina ka refuzuar këtë kërkesë të FFK-së duke deklaruar se Federata s’ka autoritet për këto vendime dhe që fusha i plotëson të gjitha kushtet.

Ju informojmë se FC Prishtina nuk mund t’i zhvillojë ndeshjet jashtë stadiumit Fadil Vokrri.

Na lejoni t’iu kujtojmë edhe njëherë se FFK nuk është pronare e stadiumit Fadil Vokrri, prandaj nuk jeni në pozitë dhe nuk keni autoritetin për të marrë vendime të tilla.

FC Prishtina është shfrytëzuesi i vetëm legjitim i stadiumit Fadil Vokrri edhe për ndeshjet kampionale fusha i plotëson kushtet.

Stadiumi Fadil Vokrri është aset i Prishtinës dhe jo i dikujt tjetër, Meqë ndeshjet e Ballkanit do të zhvillohet më 9 gusht në stadiumin Fadil Vokrri, nuk shohim pengesë që të zhvillohet edhe ndeshja e parë kampionale më datë 12.

Shpresojmë se jemi mjaftueshëm të qartë në pozicionin tonë dhe se Prishtina nuk mundet të paguajë më tej për keqmenaxhimin që i keni bërë stadiumit tonë. Si alternativë e vetme e mundshme është që ndeshjen ta zhvillojmë në kampin Hajvalia (me bari natyror)”, thuhet në emailin e kthyer të Prishtinës drejt FFK-së.

Kujtojmë, Prishtina në fundjavë e nis sezonin ndaj Feronikelit 74.

Lajme të ngjashme