FFK bie në kundërshtim me vetën: Njëri e premton ardhjen e Diant Ramajt, e tjetri thotë se portieri po e pret Gjermaninë
Si shpesh herë, qëndrimet e bordit të FFK-së vazhdojnë të befasojnë opinionin publik. E njëjta situatë ka ndodhur prapë, këtë herë me portierin e Ajaxit Diant Ramaj.
Ramaj që një kohë të gjatë është dëshira e madhe e Kosovës, por deri më tani nuk ka dhënë kurrfarë sinjali që mund ta veshë fanellën dardane, ngase publikisht ka deklaruar se ëndërron të luajë për Gjermaninë.
Por, ajo që fitoi vëmendjen ishte deklarata e të parit të FFK-së, Agim Ademi i cili të dielën në “ATV” deklaroi se Diant Ramaj do të vjen së shpejti.
“Me Diantin dhe familjen, sidomos babain, jemi në kontakte por fatkeqësisht u lëndua në ekipin e tij. Jemi shumë të interesuar për Diantin dhe e shoh shumë shpejtë në Kosovë”, deklaroi ai orë më parë.
Mirëpo, kjo deklaratë është komplet e kundërta e asaj që deklaroi ish portieri, tani zëvendësdrejtor në FFK Samir Ujkani.
Ujkani ishte i ftuar në emisionin sportiv “Favorit” në T7, ku nuk dha shpresë për Ramajn, duke deklaruar se portieri po e pret Gjermaninë.
“Djali ka thënë publikisht që është duke e pritur Gjermaninë. Derën e ka hapur, e di që jemi të interesuar për të, por siç e thashë ai vetë e ka pranuar se po e pret Gjermaninë”.
Nuk është hera e parë që Ademi premton lojtarë, e më pas asnjëri prej tyre nuk zbarkojnë në Kosovë. E njëjta situatë ka ndodhur me emra si Bastien Toma e Andi Zeqiri.