FFK bën ankesën e dytë në UEFA për tifozët serbë në “Euro 2024” - NACIONALE

FFK bën ankesën e dytë në UEFA për tifozët serbë në “Euro 2024”

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka njoftuar se ka dërguar ankesën e dytë në UEFA për sjelljen skandaloze të tifozëve serbë në Kampionatin Evropian “Euro 2024”.

Edhe në përballjen e dytë të Serbisë në Evropian asgjë s’ka ndryshuar. Tifozët kanë vazhduar me thirrje nacionaliste serbe, derisa kanë vendosur flamurin serb me hartën e Kosovës.

Komunikata e plotë pa ndërhyrje:

“Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin publik se ka përgatitur ankesën e radhës pranë UEFA-së lidhur me përsëritjen e sjelljes me retorikë nacionaliste dhe raciste nga tifozët serbë gjatë ndeshjes së Grupit C të Euro 2024, ndërmjet Sllovenisë dhe Serbisë, e cila u zhvillua të enjten në Munih.

FFK dënon fuqimisht thirrjet nacionaliste dhe vendosjen e flamurit serb me hartën e Kosovës e me mbishkrimin “S’ka dorëzim”. Përsëritja e sjelljeve të tilla në stadiumet e futbollit, edhe pas dënimeve të mëparshme nga UEFA, është e papranueshme dhe kërkon rigorizitet më të madh nga organet vendimmarrëse të UEFA-së.

Mesazhet me retorikë shoviniste janë skandaloze, bien ndesh me vlerat që përçon sporti dhe minojnë parimet bazë të UEFA-së. I bëjmë thirrje edhe një herë organeve të UEFA-së që të jenë më rigoroze ndaj përsëritjes së mesazheve të tilla armiqësore ndaj vendit tonë, si anëtar i barabartë me të gjitha vendet e tjera në familjen e futbollit evropian.

Po ashtu, kërkojmë nga organizatorët të rrisin vigjilencën për të mos lejuar shfaqjen e mesazheve të tilla.

FFK do të vazhdojë të promovojë vlerat e vërteta të futbollit dhe unitetin e respektin ndaj të gjithë të përfshirëve në futboll”, shkruhet ndër të tjera në komunikatë.

Lajme të ngjashme