FFK ankohet në FIFA për fyerjet dhe thirrjet raciste të trajnerit e tifozëve serbë - NACIONALE

FFK ankohet në FIFA për fyerjet dhe thirrjet raciste të trajnerit e tifozëve serbë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

FFK ka njoftuar se tashmë kanë bërë një ankesë në FIFA ndaj fyerjes që bëri përzgjedhësi i Serbisë duke sharë nënat shqiptare, si dhe veprimeve raciste të tifozëve serbë.

Në ndeshjen mes Zvicrës dhe Serbisë, ku “Helvetikët” eliminuan serbët, ishin vendosura disa rregulla skandaloze, ku nuk lejohej që shqiptarët të futnin flamurë të Kosovës ose Shqipërisë, derisa një tifoze edhe e larguan pasi bëri shqiponjën.

Gjatë tërë ndeshjes kishte veprime raciste të tifozëve serbë, derisa situata eskaloi te goli i dytë i Zvicrës, ku përzgjedhësi serb nisi të ofendojë me nënat shqiptare.

Lidhur me këtë, FFK tani ka njoftuar se kanë bërë një ankesë te shtëpia e futbollit, FIFA.

“Federata e Futbollit e Kosovës ka reaguar në FIFA ndaj fyerjes së rëndë të trajnerit të Përfaqësueses së Serbisë dhe veprimeve raciste të tifozëve serbë në ndeshjen e Kupës së Botës, Zvicër – Serbi, e zhvilluar më 2 dhjetor.

Shfaqja e slloganeve me mesazhe politike dhe thirrjet raciste ndaj shqiptarëve u dëgjuan po thuajse gjatë tërë ndeshjes dhe për to raportuan edhe mediat botërore.

Është e pakuptimtë dhe absurde urrejtja me të cilën është ushqyer ndër vite opinioni në shtetin fqinj ndaj popullit shqiptar në përgjithësi, në vend se të angazhoheshin për dorën e pajtimit dhe të kërkimfaljes.

FFK ka parashtruar ankesë me dëshmitë e nevojshme në FIFA edhe për këtë rast, pak ditë pas ankesës lidhur me shfaqjen e pankartës në zhveshtoren e Përfaqësueses së Serbisë, me hartën e Kosovës me ngjyrat e flamurit serb dhe me mbishkrimin “S’ka dorëzim”.

FFK kërkon nga FIFA hetim të këtij rasti dhe sanksione ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë, në mënyrë që thirrjet fashiste njëherë e përgjithmonë të qëndrojnë larg stadiumeve të futbollit dhe larg eventeve si Kupa e Botës.

Thirrjet e tilla nga tifozët e një ekipi pjesëmarrës në Kupën e Botës, nuk mund të kuptohen e arsyetohen nga askush, sidomos tani kur Evropa po kërcënohet nga situata e brishtë e sigurisë si pasojë e agresionit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë.

Federata e Futbollit të Kosovës do të qëndrojë fuqishëm në mbrojtje të vlerave dhe dinjitetit të vendit dhe popullit të saj, por njëherësh edhe në mbrojtje të vlerave që përçon futbolli në përgjithësi, e që janë uniteti mes njerzëve, shpresa, gëzimi dhe pasioni për gjithpërfshirje.

Ekipe dhe tifozë me sjellje e filozofi të urrejtjes së njeriut për njeriun nuk do të duhej të kenë vend në ngjarje kaq të rëndësishme sportive siç është Botërori “Katari 2022”, shkroi FFK.

Lajme të ngjashme