FFK-ja s’i duron as kritikat, hap procedurë disiplinore ndaj kritikëve të saj më të mëdhenj
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka nisur procedurë disiplinore ndaj tre prej kritikëve të saj më të mëdhenj, përfaqësuesit të lartë ligjor Eroll Salihu, dhe dy zyrtarëve të dy klubeve të Superligës - të cilët kanë qenë të zëshëm në kritikat e tyre ndaj zgjedhjeve kontroverse dhe jodemokratike për president në FFK.
Agim Ademi u rizgjodh president i shtëpisë së futbollit të Kosovës më 6 prill, për një mandat të dytë katërvjeçar, në rrethana të jashtëzakonshme në një kuvend zgjedhor jodemokratik dhe kontrovers pa praninë e mediave dhe i pasfiduar.
Salihu, i shkarkuar më herët nga posti i sekretarit të përgjithshëm të FFK-së, akuzohet nga federata për “nënçmimin, dezinformim dhe diskreditimin e organeve të FFK-së dhe të UEFA-s”.
Përvec tij, edhe ndaj drejtorëve sportivë të Dritës dhe Drenicës, Valon Zymberi dhe Taulant Dajaku, përkatësisht, është hapur procedurë disiplinore për kritikat e tyre në media.
Njëlloj si Salihu, edhe Zymberi dhe Dajaku akuzohen nga FFK-ja për “dezinformim dhe ofendim të organeve të federatës”.
“Ndaj: Përfaqësuesit të lartë ligjor të FFK-së, Eroll Salihu. MOTIVI: Në prononcimin për media shpif, nënçmon, dezinformon dhe diskrediton organet e FFK-së dhe ato të UEFA-s. Sipas xhirime televizive. Ndaj: Drejtorit sportiv të FC ”Drita” Valon Zymberi. MOTIVI: Në prononcimin për media akuzon, dezinformon dhe ofendon organet e FFK-së. Sipas xhirime televizive. Ndaj: Drejtorit sportiv të FC ”Drenica”, Taulant Dajaku. MOTIVI: Në prononcimin për media akuzon, dezinformon dhe ofendon organet e FFK-së. Sipas xhirime televizive”, thuhet në një njoftim të Komisionit Disiplinor të FFK-së.
I gjithë procesi zgjedhor ka qenë tejet kontrovers dhe jodemokratik, pasi duke i shpallur zgjedhjet e reja për 6 prill më 2 mars, FFK-ja u akuzua se e shkeli Nenin 39 të Statutit të federatës, i cili thekson se kuvendi zgjedhor për emërimin e presidentit të FFK-së duhet të thirret dy muaj më herët.
Ministria e Sportit e ka akuzuar FFK-në për shkeljen e ligjit të sportit dhe Statutit të vet me thirrjen e zgjedhjeve për 6 prill.
Edhe Salihu, si një zyrtar i lart ligjor brenda vetë FFK-së, ka këmbëngulur vazhdimisht se zgjedhjet e 6 prillit ishin të jashtëligjshëm dhe në kundërshti me vetë Statutin e federatës.