FFK-ja nën hetime për keqpërdorim të fondeve
Federata e Futbollit e Kosovës është duke u hetuar nga prokuroria e shtetit, policia ekonomike dhe inteligjenca doganore për keqpërdorimin e fondeve dhe shmangie tatimore.
Zyrtarët nga këto tri institucione të martën në mëngjes e vizituan Departamentin e Sportit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në lidhje me këtë hetim ndaj shtëpisë së futbollit në vend.
Vizitën e organeve të rendit e ka konfirmuar zyrtari i Departamentit të Sportit në MKRS, Fikret Shatri.
“Kemi pasur një vizitë nga Prokuroria, Policia e krimeve ekonomike, Inteligjenca doganore. Arsyeja e kësaj vizite ka qenë hetimet për donacione të marra të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe organizata të tjera sportive. Ne ua ofruam qasjen në të gjitha dokumentet tona zyrtare. I ofruam bashkëpunim në çdo kohë dhe me 100 për qind transparencë”, ka thënë Shatri të martën për Kohën.
Dyshohet se drejtuesit e FFK-së janë të përfshirë në evazion fiskal, shmangie tatimore dhe keqpërdorim të fondeve të federatës.
Hetimet ndaj institucionit më të lartë të futbollit në vend vijnë në një kohë kur ai po përballet me kritika të ashpra për zgjedhjet për kryetar, të cilat do të mbahen nesër, 6 prill.
Kuvendi i nesërm është cilësuar si kuvendi më jodemokratik për ta zgjedhur udhëheqësin e shtëpisë së futbollit, duke qenë se kryetari i tanishëm Agim Ademi është kandidati i vetëm, dhe shumë arsyeje të tjera. 60-vjeçarin do të emërohet në një kuvend ku mediave dhe gazetarëve iu është ndaluar pjesëmarrja.
Ministria e Sportit e ka akuzuar FFK-së se e ka shkelur ligjin për sport si dhe Statutin e vet me shpalljen e zgjedhjeve për 6 prill.