Ferdinand brengoset se Hojlund nuk do të përshtatet lehtë te Manchester Unitedi, ashtu si Nunez te Liverpooli
Legjenda e Manchester Unitedit, Rio Ferdinand, ka thënë se sulmuesi danez që pritet të transferohet te djajtë e kuq, Rasmus Hojlund, mund të marrë kohë që të përshtatet në kampionatin anglez, duke e krahasuar atë me Darwin Nunezin e Liverpoolit në sezonin e kaluar.
Ish-qendërmbrojtësi i Unitedit – i cili bëri 455 paraqitje për djajtë e kuq – është i emocionuar për të parë sulmuesin e ri me perspektivë, por u tregua i kujdesshëm se atij mund t’i duhet të paktën një sezon i plotë që ai të mësohet të luajë në Premierligë. Tifozët presin që nënshkrimi i Hojlund të shpallet zyrtarisht në ditët në vijim, me sulmuesin danez që raportohet se është rezervuar për teste mjekësore të klubit përpara transferimit të tij prej mbi 85 milionë euro nga Atalanta.

"Kushdo që e ka parë të luajë do të shohë se ka atribute që ju do të dëshironit. Ai i përshtatet Premierligës," tha eksperti i TNT Sports, Ferdinand. "Unë e shikoj atë pak si Darwin Nunez në Liverpool. Sezoni i kaluar ishte sezoni i tij i përshtatjes. Ai është një sulmues i ri që vjen në ligë, gjithçka rreth tij përshtatet në mënyrë të përsosur me Premierligën, por nuk shkoi ashtu siç do të donte. Por unë mendoj se këtë sezon do të shohim një lojtar tjetër për Liverpoolin. Nuk do të habitem nëse kjo ndodh me Hojlund, megjithëse do të doja që ai të kishte një sezon më të mirë se ai padyshim. Ai mund të bëjë mirë, por do të marrë kohë për t'u përshtatur."

Çmimi i lartë që pritet të paguhet për 20-vjeçarin, ka bërë shumë tifozë ta vejnë në mëdyshje. Marrëveshja pesëvjeçare e ndërkombëtarit danez thuhet se vlen diku te 85 milionë euro duke përfshirë shtesat. Megjithatë djajtë e kuq e kanë pasur të vështirë të sigurojnë shërbimet e një sulmuesi nën këtë çmim, teksa bashkëkombësi i Hojlund, Christian Eriksen, është i bindur se 20-vjeçari e meriton çdo qindarkë.

