FFK njofton se ka dënuar vetëm 12 muaj lojtarin e FC Sharrit që grushtoi gjyqtarin, për veprimin e njëjtë federata turke përjashtoi përjetësisht presidentin e Ankaragucu
Në ditën e njëjtë kur Federata e Futbollit të Turqisë njoftoi se ka dënuar me përjashtim të përjetshëm Faruk Kocën, presidentin e Ankaragucu, për grushtimin e gjyqtarit kryesor, Federata e Futbollit të Kosovës për veprimin e njëjtë ka dënuar një futbollist vetëm me 12 muaj mos-lojë.
Komisioni Disiplinor në kuadër të FFK-së në mbledhjen e sotme shqyrtoi procedurat nga Komisioni i Garave dhe mori vendim për dënimin e futbollistit të FC Sharrit, Driton Loku, që 12 ditë më parë në humbjen e skuadrës së tij nga 1:0 nga Prizreni, kishte grushtuar gjyqtarin kryesor të takimit.
Vendimi nga Komisioni Disiplinor
"Lojtari i KF “Sharri“, Driton Loku nr fanelle 18 dhe nr ID 022971M03. Në ndeshjen e xhiros së 16-të të Ligës së Dytë, Sharri-Prizreni ndëshkohet me karton të kuq (grushtim ndaj gjyqtarit kryesor). Bazuar në nenin 47 paragrafi 1 pika D të Rregullores disiplinore; Dënohet me 1 vit mos lojë sipas radhës organizuar nga FFK."

Për të njëjtim veprim, Federata e Turqisë, pezulloi zhvillimin e kampionatit deri në vendimin e tyre. Sot ata vendosën që Faruk Kocën, presidentin e Anakargucu ta denojnë përjetësisht nga aktivitetet në futboll, pasi në përfundim të ndeshjes kishte grushtuar gjyqtarin Halil Umut Meler.
Dënime të tilla minimale nga FFK çojnë në përsëritje të këtyre dukurive negative, prandaj në raste si këto duhet të reagohet me dorë të hekurt, që raste të tilla mos të hedhin hije mbi futbollin kosovar.