Federata Braziliane ende optimiste për Carlo Ancelottin - NACIONALE

Federata Braziliane ende optimiste për Carlo Ancelottin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Federatës Braziliane, Ednaldo Rodrigues është optimist se trajneri Carlo Ancelotti do të largohet nga Real Madridi për ta marrë pozitën e përzgjedhësit te kombëtares braziliane.

Brazili vazhdon të jetë pa trajner që kur Tite u largua pas eliminimit që pësuan në Kupën e Botës nga Kroacia në çerekfinale.

Ramon Menezes ka marrë pozitën e përzgjedhësit të përkohshëm dhe e nisi me humbje këtë aventurë duke u mposhtur në miqësore nga Maroku në muajin mars.

Ancelotti vazhdon të jetë dëshira e madhe e Federatës braziliane, i cili ka pranuar tashmë edhe një ofertë në tavolinë mirëpo tekniku italian duhet të vendos para 25 majit, disa javë para se të përfundojë ky sezon.

Rodrigues raportohet se për mediat lokale tha: "Situata është e avancuar. Jemi duke provuar të kemi një pozitë të qartë para 25 majit, që është data për thirrjet e radhës te kombëtarja".

Ancelotti ka kontratë me Real Madridin deri në fundin e sezonit 2023/34 dhe më parë ka deklaruar se dëshiron t'i shkojë deri në fund, me Real Madridin që po lufton për Ligën e Kampionëve sërish duke qenë në gjysmëfinalen si dhe në finalen e Kupës së Mbretit.

Skuadra madrilene pritet ta humbasë titullin e La Liga-s, pasi janë 11 pikë prapa Barcleonës me shtatë ndeshje të mbetura deri në fund.

Në rast që Real Madridi arrin ta eliminojë Manchester Cityn, atëherë vështirë që Ancelotti të largohet para finales së Ligës të Kampionëve më 10 qershor.

Kujtojmë, ndeshjet gjysmëfinale zhvillohen më 9 dhe 17 maj, kështu Ancelotti do të ketë kohë ta pranojë ofertën gjithnjë nëse Reali dështon ta eliminojë Man Cityn.

Lajme të ngjashme