Federata Angleze kërkon dënim më të ashpër për Kloppit pas kartonit të kuq me Man. Cityn
Jurgen Klopp është ndëshkuar me karton të kuq në derbin ndaj Manchester Cityt javë më parë. Komisioni i Pavarur i Disiplinës e ka dënuar trajnerin gjerman me vetëm 30 mijë funta, por FA ka paralajmëruar se do të ankohet për këtë vendim.
Sjellje të pahijshme ishin ato që u vunë re nga Jurgen Klopp në ndeshjen ndaj Manchester Cityt gjatë muajit të kaluar. Klopp u ndëshkua me karton të kuq pasi ulëriste dhe shpotiste gjyqtarin e katërt, duke ia vështirësuar atij punën, për shkak të ankesave të ndryshme që kishte trajneri i Liverpoolit me ndarjen e drejtësisë.
Komisioni i Pavarur i Disiplinës më 27 tetor ka vendosur që t’ia shqiptojë një gjobë prej 30 mijë funtash trajnerit gjerman. Vetëm kaq. Asnjë ndeshje moslejim për kryerje të detyrës. Asgjë tjetër.
Sipas burimeve të medieve angleze, me në krye “Daily Mail”, thuhet se Federata Angleze e Futbollit (FA) do ta paraqesë një shkallë ankimimi ndaj vendimit në fjalë.
Dënimi vetëm me gjobë shihet shumë i butë dhe jo i drejtë në raport me sjelljet aspak profesionale që kishte dëshmuar trajneri gjerman.
Jurgen Klopp humbi nervat në momentin kur gjyqtari anësor, Gary Beswick, nuk ka akorduar një goditje dënimi në favor të Liverpoolit, pasi aludonte se Bernardo Silva ka tërhequr nga mbrapa Mo Salahin.
Në atë moment, Klopp ka shkuar me vrap në drejtim të gjyqtarit anësor, të cilit i ka bërtitur në vesh, gjersa loja ishte aktive.

Gjyqtari kryesor i ndeshjen, Anthony Taylor, menjëherë pasi topi kaloi jashtë vijave të fushës, e ndëshkoi me karton të kuq Kloppin, në ndeshjen që Liverpool e fitoi 1:0 ndaj Manchester Cityt në “Anfield”.
FA janë të bindur se trajnerët dhe pjesa tjetër e punëtorëve sportivë janë të thirrur për të qenë shembuj për t’u ndjekur në kontekst të sjelljes dhe edukatës.
Klopp “nuk e di” nëse është dashur të pezullohej
Jurgen Klopp kur është pyetur në lidhje me dënimin e marrë dhe nëse është dashur që të pezullohej me ndonjë ndeshje me mosprani në bankinë, ai u përgjigj shkurtazi: “Nuk e di!”
Trajneri i Liverpoolit është munduar të arsyetohet duke thënë se nuk e di se cilat janë procedurat që ndiqen në raste të ngjashme, duke thënë se nuk ka rastisur më herët që të ndëshkohej me ndonjë karton.
“Jam njeriu i gabuar të cilit mund t’ia parashtroni këtë pyetje. Nuk e kam idenë. Vite më parë jam pezulluar në Ligën e Kampionëve me Dortmundin, në një situatë simetrike në vijën anësore të fushës. Natyrisht, Liga e Kampionëve është paksa ndryshe”, shtoi ai.

“Nuk kam qenë kurrë në një situatë të tillë. Nuk kam pranuar kurrë karton të kuq. Madje, nuk kam pranuar asnjëherë ndonjë karton të verdhë për aq sa më kujtohet”, përfundoi ai.

