FBK e tregon ‘dorën e hekurt’, Peja e pëson më rëndë por dënohet edhe Trepça
Federata e Basketbollit të Kosovës, ka dënuar dy skuadrat vendase në takimet e para gjysmëfinale, Pejën dhe Trepçën, për incidentet që ndodhën në parket, në ndeshjet respektive.
Peja humbi ndaj Yllit në Karagaç, por dy minuta para fundit ndodhi ajo që nuk duhej. Një festim i Alonzo Verge Jr pas pikëve të shënuara, bëri që tifozët e Pejës të agravojnë duke gjuajtur në drejtim të lojtarit, me çka edhe e lënduan atë.
Ngjarje pothuajse e njëjtë ndodhi në Minatori, ku Trepça fitoi ndaj Prishtinës. Tifozët mitrovicas ofenduan Dardan Berishën, ndërsa edhe filluan hedhjen e gjësendeve, por për dallim nga ndeshja tjetër, nuk u godit asnjë nga basketbollistët.
Si rrjedhojë, Peja e pësoi më rëndë.
Bazuar në nenin 51.23, Komisioni i Garave ka dënuar Pejën me pesë mijë euro të holla si dhe dy ndeshje pa praninë e tifozëve, me arsyetimin shkaktimi i lëndimeve të lehta ndaj lojtarëve, zyrtarëve, gjyqtarëve apo vëzhguesve nga hedhjet e gjësendeve në fushën e lojës.
Edhe Trepça nuk ka shpëtuar, ndonëse ka marrë dënim shumë më të lehtë.
Bazuar në nenin 51.3 i cili thotë se hedhja e gjësendeve të forta në fushë të cilat mund të shkaktojnë lëndime të lehta (si: shkrepëset, monedhat, shishet e plastikës, etj.), klubi mitrovicas u dënua me 500 euro, ndërsa një dënim tjetër prej 700 eurove erdhi për shkak të fyerjeve në kor.
Nga FBK nuk kanë pësuar as individët, pasi Rami Hadar trajneri i Pejës dhe dy lojtarët e Yllit, Nate Grimes dhe Alonzo Verge JR, u dënuan me 300 dhe 100 euro respektivisht për sjellje josportive.
Ndërkaq në ndeshjes mes Prishtinës dhe Trepçës për arsye të njëjtë u dënua vetëm lojtari i kryeqytetasve, Malcolm Armstead, me gjobë prej 100 eurove.
Peja e pësoi më rëndë, pasi ndeshjen e tretë gjysmëfinale do ta luajë pa praninë e tifozëve, ndërsa nëse do të ketë ndeshje të pestë, as aty nuk do ta ketë ndihmën e Shqiponjave.