Faruk Statovci sulmohet me shkopinj bejsbolli nga persona të maskuar
Trajneri Faruk Statovci ka thënë se është sulmuar me shkopinj bejsbolli nga persona të maskuar të dielën pas mesnatës në parkingun e ndërtesës ku banon në Prishtinë.
Statovci, i cili njihet si analist i zëshëm dhe drejtpërdrejt i futbollit, kishte qenë duke u kthyer nga një emision televiziv kur ishte sulmuar në hyrje të ndërtesës ku jeton.
“Po, është e vërtetë që jam sulmuar, rasti ka ndodhur pas orës 00:00, pas emisionit pasi e kemi pirë ka një kafe me ata kolegët që kemi qenë në emision diku kah ora 23:30 kam ardh tek banesa. Pasi e kam parku veturën në parking, parkingu nuk edhe aq ndriçim persona të maskuara me shkopa të bejsbollit më kanë sulmuar”, ka thënë Statovci për Insajderin.
43-vjeçari ka marrë lëndimet të lehta trupore dhe thotë se është mirë.
“Ata kanë tentu me më lëndu mu, unë kam pësuar disa lëndime të lehta por jo, diçka e rëndë. Në vendngjarje ka qenë policia dhe emergjenca por falë zotit nuk ka ndodhur më e keqja. Jam mirë“, deklaroi në fund ai.
Statovci ka lënë të kuptohet se është i vetëdijshëm kush mund të qëndrojë prapa sulmit ndaj tij, por këmbënguli se dëshiron t’ia lërë policisë të merret me rastin.
“Dyshimet tek unë ekzistojnë por për momentin nuk dua të flas më shumë. Janë disa kamera këtu tek ndërtesa, po ia lëmë njëherë policisë, por normal që kam dyshime, por nuk dua ta apostrofojë askënd”, u shpreh Statovci.