Fabregas për Ronaldon: E pabesueshme, më impresionon mentaliteti i tij
Trajneri i Comos Cesc Fabregas ka dhënë lëvdata të mëdha për sulmuesin Cristiano Ronaldo, pasi ky i fundit e tejkaloi shifrën e 900 golave në karrierë.
Portugezi realizoi 901 gola në karrierën profesionale, ndërsa tani duket që objektivi i radhës është të arrijë shifrën e 1 mijë golave, gjë e cila s’është arritur asnjëherë më parë në histori.
Shifrën rekord e ka komentuar edhe Fabregas, i cili dha lëvdata për Ronaldon, duke treguar se impresionohet me faktin që pesë herë i fituesit të Topit të Artë gjithnjë dëshiron më shumë.
“Është e pabesueshme. Niveli që ka qenë që 22 ose 23 vite, duhet t’i japim mirënjohje Cristianos”.
“Çfarë më impresionon për karrierën e Cristianos është mentaliteti i tij, ai dëshiron gjithnjë më shumë dhe më shumë. Lojtar profesionist, nuk i intereson nëse shënon pesë ose gjashtë, kërkon golin e shtatë. Nëse humb do të bëjë çmos për ta fituar lojën e radhës. Nëse nuk shënon, atëherë je i sigurt që do të shënojë në ndeshjen e radhës. Ai beson në aftësitë e tij”.
Ronaldo ndërkohë është duke luftuar për të fituar trofe me Al Nassr në Lindjen e Mesme.