Fabregas për fishkëllimat ndaj Messit: PSG-ja kurrë në jetë nuk e ka pasur një futbollist si ai
Cesc Fabregas i ka kritikuar tifozët e Paris Saint-Germainit për sjelljen e tyre ndaj Lionel Messit në një ndeshje të Ligue 1, pasi skuadra e tyre ishte eliminuar nga Liga e Kampionëve.
Mesfushori i Monacos, i cili kishte luajtur me Messin në Barcelonë, beson se tifozët e PSG-së duhet të jenë mirënjohës që e kanë Messin dhe jo ta shkatërrojnë atë.
Messi dhe Neymar u fishkëllyen nga tifozët e vet pothuajse çdo herë që e patën topin në këmbë në fitoren e PSG-së 3:0 kundër Bordeaux në Parkun e Princave më 12 mars, e cila ishte ndeshja e parë në shtëpi pas eliminimit nga Liga e Kampionëve.
Tifozët e Parisit ishin të pakënaqur me dy futbollistët e vet jugamerikanë, pasi PSG-ja ishte eliminuar nga Liga e Kampionëve duke e mundur 3:1 nga Real Madridi në ndeshjen e kthimit, megjithëse e kishin një epërsi prej dy golave nga ndeshja e parë dhe ajo e dytë.
“Rasti i Leos është i thjeshtë. Për mua, ai është më i miri që e kam parë dhe më i miri me të cilin kam luajtur”, tha Fabregas për të përditshmen Marca.
“Çfarë kam parë nga ai është e jashtëzakonshme”, shtoi ai.
Fabregas e kishte përjetuar të njëjtën gjë nga tifozët e Barcelonës në të kaluarën.
“Edhe unë jam fishkëllyer në Camp Nou. E di çfarë ndodhi me PSG-në. Tifozët duan ta krijojnë një çast tensioni me lojtarët. Gjatë ndeshjes ata të përkrahin dhe kur ta këndojnë emrin, shumë mirë, por ajo që e pashë atë ditë, brohoritje kur Neymari e humbte topin apo fishkëllima kur ata e preknin topin, është gjë e shëmtuar”, nënvizoi ai.
Spanjolli 34-vjeçar e pranon se lojtarët e PSG-së fitojnë shumë dhe se tifozët mund të zemërohen, por ai beson se Messi mund t’i sjellë sukses klubit francez.
“Ata i arsyetojnë fishkëllimat me faktin se lojtarët paguhen shumë, ata humbën nga Real Madridi, në rregull, por a nuk kanë dashur atë të fitojnë? Ata nuk kanë fituar ende asgjë me PSG-në por ligën do ta fitojnë patjetër”.
Fabregas shtoi: “Po flasim për një lojtar si Messi i cili sapo ka ardhur. PSG-ja nuk e ka pasur kurrë në jetë një lojtar të tillë. Më mirë të jesh mirënjohës, të përkrahesh atë dhe jo ta shkatërrosh. Këtë vit apo tjetrin, këta djem do t’i sjellin çaste madhështore atyre”.