ESPN: Christensen dhe Kessie mund të largohen si agjentë të lirë nëse nuk regjistrohen me kohë
Transferimet e reja Andreas Christensen dhe Franck Kessie mund të largohen nga Barcelona si agjent të lirë nëse nuk regjistrohen në La Liga para ndeshjes hapëse ndaj Rayo Vallecanos.
Christensen dhe Kessie iu bashkuan Barcelonës si agjent të lirë në verë nga Chelsea, respektivisht AC Milan. Kanë mbetur tre ditë derisa kur të nis sezoni i ri, sidoqoftë asnjë nënshkrim nuk është regjistruar në kampionatin spanjoll nga klubi katalunas.
Sipas “ESPN”, në rast që nuk regjistrohen me kohë - pra para ndeshjes së parë ndaj Rayos, të dy lojtarët mund të largohen duke aktivizuar një klauzolë që i lejon të ikin falas.
Arritjet e tjera si Robert Lewandowski, Raphinha dhe Jules Kounde gjithashtu nuk janë regjistruar në La Liga, njësoi si rinovimet e kontratave të Sergi Roberto dhe Ousmane Dembele.
Situata e Christensen dhe Kessie është paksa më ndryshe, andaj kanë të drejtë të largohen, kuptohet vetëm nëse duan para se të mbyllet afati kalimtar veror.
Përpos kësaj, mediumi spanjoll shton se Joan Laporta vazhdon të jetë optimist se të shtatë lojtarët do të regjistrohen me kohë.
Barcelona do të kërkonte të flasë me agjentët e lojtarëve për të shmangur një rezultat të tillë ekstrem sepse ata kanë kohë deri në fund të muajit për të regjistruar nënshkrimet.
Barça ka shpenzuar mbi 150 milionë euro këtë verë dhe ka mbledhur mbi 600 milionë euro duke shitur 25 për qind të të drejtave të tyre televizive vendase për 25 vjet dhe një 24.5 për qind të aksioneve në “Barca Studios”.
Një burim i ligës i ka thënë “ESPN” se ende nuk ka para të mjaftueshme për Barçën që të jetë në gjendje të regjistrojë të gjitha nënshkrimet dhe rinovimet e kontratave, edhe pse disa mund të regjistrohen tani. Kjo do të varet nga kostoja dhe kombinimi i marrëveshjeve.
Prandaj, Barça po kërkon të shesë 24.5 për qind të aksioneve të ‘Barca Studios’ dhe të vazhdojë të negociojë rregullimet e pagave me lojtarët e tjerë, duke përfshirë Sergio Busquets dhe Gerard Pique.
Ishte ulja e pagave të Piques verën e kaluar që lejoi që Memphis Depay dhe Eric Garcia të regjistroheshin në prag të sezonit të kaluar, ndërsa veprime të ngjashme nga Busquets dhe Alba lejuan Sergio Agueron të regjistrohej në ligë përpara mbylljes së dritares së transferimit.
Kufiri i shpenzimeve i vendosur nga La Liga i Barçës ishte -144 milionë euro në fund të sezonit të kaluar, i vetmi limit negativ në ligë dhe do të duhet të rritet ndjeshëm për të regjistruar të gjithë aktivitetin e tyre veror.
Klubi katalanas shpreson që shitja e aseteve të klubit, së bashku me një marrëveshje sponsorizimi të nënshkruar me Spotify në fillim të këtij viti, do të rrisë përfundimisht kufirin e tyre për t'i lejuar ata të regjistrojnë të gjithë.