“Është çështje e zgjidhshme, nuk duam të shkëpusim kontratat me këta lojtarë” – Osmani flet lidhur me ‘ultimatumin’ e FFK-së
FC Prishtina nuk ka marrë ndonjë ultimatum nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) dhe që situata me dy lojtarët, si Endrit Krasniqi dhe Leotrim Kryeziun do rregullohet brenda një kohë shumë të shkurtër, kështu deklaroi drejtori i klubit, Artan Osmani.
Gjatë ditës së sotme ka pasur raportime që FFK i ka dhënë një ultimatum tre ditor Prishtinës, që të paguajë borxhet ndaj dy lojtarëve të lartpërmendur, ose të dy do jenë agjent të lirë gjatë verës së ardhshme, pasi do kenë të drejtë të shkëpushin kontratën në mënyrë të njëanshme.
Prishtina siç dihet është në gjendje të rëndë ekonomike dhe kjo situatë nuk do rregullohet, derisa të hapet Kuvendi Zgjedhor, gjë nuk është duke ndodhur shkaku i presidentit të klubit, Remzi Ejupi.
Sidoqoftë, Osmani e ka mohuar që të kenë marrë ndonjë ultimatum nga FFK-ja, duke thënë se ishte rekomandim dhe që nesër do dërgojnë përgjigje në Federatën e Futbollit të Kosovës.
“Jo, jo, nuk kemi marrë asnjë ultimatum. FFK nuk jep ultimatume, ka qenë më shumë si rekomandim. Është një çështje shumë e zgjidhshme, nesër do ta dërgojmë përgjigjen në Federatë dhe situata do rregullohet”.
Ai bën të ditur se nuk janë të interesuar të shkëpusin kontratën e Krasniqit ose Kryeziut dhe që një gjë e tillë nuk ka gjasa të ndodh nëse janë dy paga minus.
“Lojtarët nuk mund të ndërprejnë kontratën në mënyrë të njëanshme, përpos nëse jon dy muaj minus në paga, prandaj besoj që do ta rregullojmë këtë situatë. Ne nuk duam të shkëputim kontratat me asnjërin nga lojtarët”.
Në fund, Osmani e vlerësoi këtë çështje si të zgjidhshme dhe që duhet të fokusohen në ndeshjen e të dielës, që mos të përfundojnë në barazh.
“Kemi ndeshje shumë të rëndësishme të dielën dhe do jemi të fokusuar aty, kjo çështja tjetër është e zgjidhshme”, nënvizoi ai për Gazetën Nacionale.
FC Prishtina në 100-vjetorin e klubit është duke hasur probleme të mëdha, ku gjendja e rëndë ekonomike ka ndikuar në aspektin sportiv.
“Bardhëkaltërit” janë duke ‘luftuar’ që të qëndrojnë në Superligë, me ndeshjen vendimtare kundër Llapit që zhvillohet këtë të diele në “Zahir Pajaziti”.
Ekziston mundësia që Prishtina edhe me humbje ndaj Llapit të qëndrojnë në Superligë, kjo mund të ndodh vetëm nëse Drenica pëson humbje nga Feronikeli, ose Malisheva kundër Dukagjinit.