Ermal Krasniqi e shpëton Ballkanin nga disfata kundër Trepçës ‘89 në ndeshjen e mbetur të Superligës - NACIONALE

Ermal Krasniqi e shpëton Ballkanin nga disfata kundër Trepçës ‘89 në ndeshjen e mbetur të Superligës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ermal Krasniqi e ka shpëtuar Ballkanin nga disfata kundër Trepçës ’89 me një gol në kohën shtesë duke ia siguruar një barazim 1:1, në një ndeshje të mbetur nga java e tretë e Superligës të mërkurën.

Kjo ndeshje duhej të ishte zhvilluar në fillim të sezonit në muajin gusht, por ishte shtyrë për shkak të angazhimit të Ballkanit në Ligën e Konferencës atë kohë.

Abdulah Oyekanmi e kaloi klubin mitrovicas në epërsi në minutën e 74-të, pasi u shërbye nga Christian Mba.

Por Krasniqi e barazoi rezultatin pas një aksioni të gjatë për Ballkanin në minutën e 91-të, duke ia shmangur atë që do të ishte disfata e tretë skuadrës së Ilir Dajës.

Mitrovicasit e Shpëtim Idrizit vinin në këtë takim nga dy humbje radhazi por nuk ia dolën për pak ta shkaktonin befasinë e madhe për t’ia marrë të gjitha tri pikët kampionit në fuqi.

Si pasojë, Trepça ’89 ngel e parafundit në tabele më 19 pikë nga 18 ndeshje.

Ballkani, ndërkohë, vijon të jetë në vendin e dytë me 34 pikë, katër pikë më pak se liderja Drita. Por klubi nga Suhareka ka edhe dy ndeshje të tjera të mbetura pa i zhvilluar.

Lajme të ngjashme