Erik ten Hag anulon ditën e pushimit për skuadrën, detyron 'dështakët' të rikthehen në stërvitje - NACIONALE

Erik ten Hag anulon ditën e pushimit për skuadrën, detyron 'dështakët' të rikthehen në stërvitje

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Erik ten Hag ka kërkuar nga skuadra e Manchester Unitedit të shfaqet në stërvitje pas humbjes 4-0 nga Brentfordi.

Lojtarët pritej të kishin një ditë pushim të dielën, pas udhëtimit në Londër.

Por, 'The Sun' raporton se Ten Hag ka detyruar lojtarët të vijnë në qendrën stërvitore për sesion ekstra stërvitor.

'Djajt e Kuq' pësuan një humbje poshtëruese nga Brentfordi të shtunën, pasi pranuan katër gola në 35 minutat e parë.

Është humbja e dytë rresht e Unitedit, pas asaj 2-1 në ndeshjen hapëse të Premier Ligës, dhe Ten Hag kritikoi lojtarët pas ndeshjes.

Ai tha: "Është e tmerrshme, e dobët. Na duhen standarde më të larta se kjo, është e qartë.

"Duhet të performojmë dhe nuk e bëmë. Duhet të ndryshojmë, është e qartë.

"35 minuta ju pranoni katër gola, nuk është e mundur. Skuadra duhet të marrë përgjegjësi, ndjej keqardhje për fansat. I zhgënjyem.

"Duhet të marrësh përgjegjësi në fushë. Si skuadër dhe si individë, këtë nuk e bëmë.

"Unë u kërkova të luajnë me besim dhe me përgjegjësi. Këtë nuk e bëmë".

Portieri David de Gea, i cili ishte fajtor për dy golat, u pajtua me trajnerin dhe sugjeroi se skuadra e tij po vuan nga të bëmat e sezonit të kaluar.

Pas humbjes nga "Bletët", spanjolli tha: "Natyrisht, ka pasur disa sezone të vështira dhe, me shumë gjasë, është ende në mendjen tonë.

"Kur diçka shkon keq, njerëzit panikohen. Është e vështirë. Por duhet të mësojmë, kemi një trajner të ri dhe disa lojtarë të rinj. Duhet të jemi më pozitivë, të vazhdojmë të mësojmë dhe të përmirësohemi.

"Është për të fituar. Sapo të fitoni një ndeshje, dy ndeshje, do të fillojmë të ndihemi më mirë dhe më pozitivë".

De Gea gjithashtu zbuloi detaje rreth Ten Hag pas pjesës së parë.

I pyetur çka u tha holandezi lojtarëve në zhveshtore, De Gea u përgjigj: "E papranueshme, ajo që po bënim në fushë. Asgjë tjetër, për të qenë i sinqertë. Ishte e tmerrshme.

"Duhet të qëndrojmë të bashkuar si skuadër tash, të stërvitemi edhe më shumë dhe më mirë, nuk mund të them më shumë për të qenë i sinqertë".

Lajme të ngjashme