Enrique: Synojmë fitoren ndaj Dortmundit, s’jemi të fokusuar për të shënuar dy gola
Trajneri i PSG-së Luis Enrique thotë se dëshiron ta përmbysin Borussia Dortmundin, por s’janë të fokusuar që të shënojnë dy gola.
PSG është në disavantazh prej ndeshjes së parë, që e humbi me rezultat 1:0, ndërsa të martën ka nevojë për një rikthim që të avancojë në finale.
Enrique në konferencë për media thotë se objektivi është kualifikimi dhe jo rezultati.
“Qëllimi ynë s’është të fitojmë me dy gola, por të fitojmë. Nëse mendon të shënosh dy gola, atëherë është një qëllim i madh”.
“Ne duam të luajmë dhe shënojmë. Edhe nëse shënojmë në minutën e 89-të, ne do të vazhdojmë. Nuk duhet medoemos të shënojmë menjëherë, thjesht ta fitojmë përballjen”.
Tekniku spanjoll kërkoi nga skuadra të jenë të fokusuar, duke iu bërë me dije se edhe nëse pësojnë nuk do të jetë fundi i botës.
“Mund të shënosh dy herë në dy minuta, por edhe të pranosh një gol. Duhet të jemi 100 për qind të fokusuar në sulm dhe mbrojtje. Edhe nëse pranojmë, duhet të jemi serioz dhe ta marrim me qetësi. Nëse shënojmë dy herë shpejtë atëherë kundërshtari duhet të reagojë”.
“Do të jetë një ndeshje me nivel të lartë të lojës me dhe pa top, prandaj do të jetë vështirë për të dy skuadrat”.
Përballja mes PSG-së dhe Dortmundit do të zhvillohet në “Parkun e Princave” me fillim nga ora 21:00.